Lajme

SHBA-të nënshkruajnë marrëveshje sigurie me Suedinë


Suedia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje ushtarake e cila synon të mbrojë kufijtë e vendit nordik.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi suedez “SVT”, duke cituar një zyrtar të lartë të mbrojtjes.

“Marrëveshja do të përmirësojë bashkëpunimin ushtarak ndërsa Suedia pret hyrjen e plotë në NATO”, tha shefi i ushtrisë suedeze.

Duke folur për transmetuesin SVT, Karl Engelbrektson, shefi i ushtrisë suedeze, e përshkroi dokumentin si “një marrëveshje strategjike” që do të shërbejë si një kornizë për thellimin e bashkëpunimit të mbrojtjes midis dy vendeve.

“Të jesh mik i mirë i Shteteve të Bashkuara nuk është gabim kur bëhet fjalë për luftën”, tha ai.

Marrëveshja e re e sigurisë synon të rrisë mundësitë për operacione të përbashkëta ushtarake, veçanërisht ndërsa Suedia pret pranimin zyrtar në NATO, sipas botimit vendas.

Ndërkohë, gjenerali James McConville, shefi i shtabit të Ushtrisë Amerikane, shpalli “partneritetin e fortë” me Suedinë.

Ai vuri në dukje se Washington-i është shumë i shqetësuar për veprimet e mundshme ushtarake në rajonin e Arktikut, duke shtuar se forcat suedeze janë “ekspertë” në një mjedis të tillë.

“Ata me siguri mund të ndajnë disa ekspertizë me ne dhe ne mund të tregojmë një ekspertizë që kemi”, tha ai për SVT-në.

Duke i bërë jehonë komenteve të kolegut të tij amerikan, Engelbrektson pohoi gjithashtu se ajo që Suedia mund të sjellë në tryezë për NATO-n është aftësia në luftimet dimërore, duke shtuar se Stokholmi ka “ushtarë të trajnuar mirë” edhe pse ata aktualisht janë të paktë në numër.

Në vazhdën e fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë në fund të shkurtit, Suedia dhe fqinji i saj nordik, Finlanda, thyen qëndrimin e tyre të neutralitetit prej dekadash dhe vendosën të aplikojnë zyrtarisht për anëtarësim në NATO, duke përmendur “mjedisin e ndryshuar thelbësisht të sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore