ShBA-të lejojnë Kosovën në stërvitjet ushtarake me forcat e NATO-s

Dini Fetahu
19.07.2023 13:49
Loading Icons...

Projektligji vjetor i Senatit Amerikan do ta shtojë Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnim ushtarake.

Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare amerikane të vitit 2024, për të cilin Senati ka planifikuar të fillojë debatin këtë javë, i lejon Kosovës të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s.

Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe partneritetit për Paqe të NATO-s.

Siç shkruan “DefensNews”, kjo vjen si rezultat i përpjekjeve për të thelluar lidhjet ushtarake SHBA-Kosovë, të cilat vijnë pasi administrata e (Joe) Biden dhe ligjvënës të shumtë amerikanë kërkojnë të zbutin marrëdhëniet e përkeqësuara të Kosovës me Serbinë.

“Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në raportin shoqërues të këtij projektligji.

Ndërkaq, raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

“Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, potencohet në raport.

Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe 23”, kjo si masë e parë ndaj Prishtinës për shkak te refuzimit të saj për t’i zbatuar kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për ta de-eskaluar situatën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Të fundit

Aktuale