Lajme

SHBA-të konfirmojnë bisedimet me Rusinë për shkëmbimin e të burgosurve për Evan Gershkovich


Shtetet e Bashkuara konfirmuan të premten se ishin në bisedime me Rusinë për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve për reporterin e “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich.

Sakaq, autoritetet amerikane paralajmëruan se diskutimet nuk kishin prodhuar ende “një rrugë të qartë për një zgjidhje”.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta amerikane “The New York Times”.

Zëdhënësi i Kremlin-it, Dmitri Peskov deklaroi gjatë javës se të dyja vendet ishin në kontakt për mundësinë e një shkëmbimi.

Këshilltari i Presidentit Biden për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, konfirmoi komentet e Kremlin-it të premten, por ai tha se ai nuk donte të jepte “shpresa të rreme”.

“Ka pasur diskutime, por ato diskutime nuk kanë prodhuar një rrugë të qartë për një zgjidhje”, u tha Sullivan gazetarëve, duke shtuar se SHBA-të nuk kishin një “përgjigje të qartë” se si do të siguronte lirimin e Gershkovich-it.

“Gjithçka që mund të bëj”, tha ai, “është t’ju them se ne kemi një angazhim dhe bindje të qartë se do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta sjellë atë në shtëpi”.

Lynne M. Tracy, ambasadorja amerikane në Rusi vizitoi Gershkovich në burgun Lefortovo në Moskë të hënën, takimi i parë midis gazetarit dhe një zyrtari diplomatik amerikan që nga 17 prilli.

Tracy tha se Gershkovich gëzonte “shëndet të mirë ” dhe mbahej “i fortë, pavarësisht rrethanave të tij”.

Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si Gershkovich ashtu edhe Paul Whelan, një ish-marins që po vuan një dënim 16-vjeçar në Rusi për akuzat e spiunazhit, si “të arrestuar gabimisht” nga Rusia, një përcaktim që është ekuivalent me të qenit peng politik.

Në një deklaratë të shkurtër të premten, familja e Gershkovich tha se mbështetja nga e gjithë bota kishte qenë “e madhe”.

“Çdo ditë që Evan nuk është në shtëpi është një ditë tjetër e tepërt”, tha familja.

Historia e Evan Gershkovich, gazetari i WSJ i arrestuar në Rusi

Arrestohet në Rusi gazetari i WSJ-së, po shkruante për mercenarët Wagner

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore