Shqipëria

SHBA-të kërkojnë reforma drejt BE-së – Unioni thekson se procesi është “i gjatë dhe teknik”


Rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian nuk do të jetë i lehtë për rajonin dhe reforma të mëdha duhet të ndërmerren, për t’iu bashkuar bllokut të kontinentit të vjetër.

Kanë qenë këto reflektimet kryesore të përfaqësuesve të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, gjatë një konference rajonale të emërtuar “Balkonomics”, ku është folur pikërisht për procesin e integrimit dhe reformave të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë konferencës, ishte i ngarkuari me punë i SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, ai i cili foli për punën e madhe që i pret vendet e rajonit drejt BE-së.

Ai është shprehur i kënaqur dhe entuziast në lidhje me punën e bërë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ndërsa shtoi se puna e vërtetë duhet të bëhet nga vetë vendet e rajonit.

“Jemi entuziastë për punën që po bën Dhoma Amerikane e Tregtisë. Si amerikanë besojmë në fuqinë e sektorit privat. Është privilegj që të mblidhemi të nxisim e të shtyjmë para, jeni ju që do të bëni punën për të parë zhvillim dhe për të ecur para në anëtarësimin në BE”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se anëtarësimi do të jetë një proces i gjatë dhe teknik.

Megjithatë, pa përmendur korniza kohore të përcaktuara.

“Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe teknik Rajoni ka tashmë akses në disa aspekte të tregut të përbashkët. Plani i rritjes i përgjigjet thirrjeve nga rajoni. Ritmi i ndihmës që kërkohet, tregon se duhet një ndihmë më e madhe”, përshkroi Gonzato në fjalën e tij.

Po ashtu, ai e ritheksoi se anëtarësimi është një proces i gjatë dhe teknik.

“Kërkon punë për arritjen e standardeve që të bëheni pjesë e BE-së. Kjo mund të jetë edhe shkurajuese ndonjëherë”, përmbylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore