Lajme

SHBA, sanksione ndaj Rusisë për sulme kibernetike


Sipas raporteve, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e vendosur të lëshojë një gamë të gjerë sanksionesh kundër Rusisë.

Masa do të ishte hakmarrje për sulmet kibernetike që synojnë SHBA-në duke përfshirë ndërhyrjen e pretenduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Sanksionet, të pritura sa më shpejt, synojnë më shumë se 30 subjekte ruse dhe përfshijnë dëbimin e të paktën 10 individëve nga SHBA-ja.

Diplomatët thuhet se do të jenë midis atyre që janë në shënjestër.

Administrata e presidentit, Joe Biden, pritet gjithashtu të lëshojë një urdhër ekzekutiv që ndalon institucionet financiare amerikane të blejnë bono të emërtuara në rubla nga qershori.

Sanksionet vijnë në një kohë të tensionuar për marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Në një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin të martën,  Biden tha se SHBA-ja “do të vepronte me vendosmëri” në mbrojtje të interesave të saj kombëtarë.

Ai gjithashtu propozoi një takim me Putin “në një vend të tretë” që mund t’i lejojë udhëheqësit të gjejnë zona për të punuar së bashku.

Hackimi i SolarWinds

Vitin e kaluar, studiuesit e sigurisë kibernetike identifikuan një sulm në një pjesë të softuerit të quajtur SolarWinds – një ndërhyrje që u dha kriminelëve kibernetikë akses në 18 mijë rrjete kompjuterike qeveritare dhe private.

Zyrtarët e inteligjencës besojnë se Rusia ishte pas sulmit.

Hakerët fituan akses në skedarët dixhitalë të disa agjencive qeveritare të SHBA-së, përfshirë Thesarin, Drejtësinë dhe Departamentet e Shtetit.

Presidenti i Microsoft Brad Smith tha në shkurt se sulmi SolarWinds ishte “sulmi më i madh dhe më i sofistikuar që bota ka parë”.

Në një raport muajin e kaluar, agjencitë e inteligjencës amerikane thanë se presidenti rus ka të ngjarë të drejtojë përpjekjet në internet për të ndihmuar Donald Trump të fitojë një mandat të dytë si president i SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar publikisht Rusinë kundër veprimeve agresive në Ukrainë.

Rusia thuhet se po forcon praninë e saj ushtarake në kufirin ‘lindor të Ukrainës’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore