Lajme

ShBA po punon që tensionet mes Kosovës dhe Serbisë të ulen


Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, për Radio Evropa e Lirë ka thënë se ShBA-ja është e angazhuar për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it për REL.

Ndër të tjera ky zëdhënës ka thënë se në takimet që priten të zhvillohen javën e ardhshme, do të merr pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë, të tregtisë dhe investimeve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Ndërkaq edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell, përmes një deklarate ka nxitur Kosovën dhe Serbinë të ndalin çfarëdo veprime të njëanshme dhe t’i rikthehen dialogut në Bruksel.

“Po vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet që pakushte ta de-eskalojnë situatën në terren, duke i hequr menjëherë njësitet speciale policore dhe duke i hequr bllokadat në rrugë. Çfarëdo provokimi i mëtutjeshën ose vendim i njëanshëm dhe veprime të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar Josep Borell.

Borell ka thirrur Kosovën dhe Serbinë të gjejnë zgjidhje dhe të lëvizin para.

“BE do ta mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë përgjegjësi për çfarëdo rreziku ndaj sigurisë dhe mirëqenies së komuniteteve lokale edhe në Kosovë dhe në Serbi. Këtë u’a kam theksuar në thirrjet e mia edhe presidentin Vuçiç dhe kryeministrit Kurti këtë javë”.

Ai ka thënë se dialogu mbetet adresa dhe e platforma e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes dy plaëve, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes dhe çështjen e targave të automjeteve.

“Të dy Kryenegociatorët që në Bruksel vijnë në ditët në vijim është hapi i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë me mandat për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që janë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i BE-së.

Josep Borell tha ndër të tjera edhe presin që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të tyre.

Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, e cila është e nevojshme që të dy të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane, deklaroi Borell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore