Bota

SHBA mbështet Izraelin në konfliktin me Palestinën


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur mbështetjen ndaj palëz izraelite. Në konfliktet e fundit me autoritetin palestinez, dhjetëra persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e bombardimeve të shumëfishta të ndodhura.

“Fola me kryeministrin izraelit sot, mbi gjendjen në Izrael, përfshi sulmet në Rripin e Gazës, të cilët kanë pasur shënjestër qytetarë izraelitë”, shkruan Blinken në Twitter.

Sipas sekretarit, Izraeli ka të drejtën të vetëmbrohet. Por, nga ana tjetër, ai ka theksuar edhe nevojën që palestinezët kanë për të jetuar në siguri.

Sipas Blinken-it, është jetësore që situata të qetësohet dhe konflikti të mos përkeqësohet më tej.

Çfarë ka ndodhur në Izrael ditët e fundit?

Së fundmi, shteti i Izraelit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin qendror të Lod-it pas trazirave të ndodhura ditët e fundit.

Jerusalemi ka parë këto ditë trazirën më të rëndë ndër vite, me qindra protestues palestinezë të plagosur në përleshjet me policinë e Izraelit.

Më shumë se 20 njerëz janë vrarë në Gaza pas luftimeve mes militantëve palestinezë dhe Izraelit.

Palestinezët lëshuan qindra raketa në Izrael, ndërsa ky i fundit kreu sulme të mëdha ajrore në Gaza.

Ushtria e Izraelit nga ana tjetër, synon militantët në Gaza në përgjigje të sulmeve me raketa në Jerusalem.

Më shumë se 1 mijë raketa janë qëlluar drejt Izraelit nga militantët palestinezë që nga e hëna në mbrëmje. Prej asaj dite, luftimet u përshkallëzuan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore