Kosova

SHBA-ja shpreh keqardhje që Lista Serbe e bojkotoi votimin në veri përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve


Jeff Hovenier

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, në një përgjigje për mediat kosovare të dielen, shprehu keqardhje që qytetarët serbë nuk morën pjesë në procesin e votimeve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për largimin e kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar për shkak të mospjesëmarrjes së serbëve.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime. Ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”.

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, por ky proces mund të konsiderohet i dështuar për shkak të bojkotimit en masse të komunitetit serb në Kosovë.

Ambasada e SHBA-së kujtoi deklaratën e QUINT – SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia – dhe Bashkimit Evropian (BE) që u bashkuan në thirrjet ndaj Listës Serbe që ta shqyrtojnë qëndrimin e tyre, duke u shprehur “thellësisht të zhgënjyera” me thirrjet publike të partisë kryesore që gëzon mbështetjen e Serbisë që serbët ta sabotojnë këtë proces.

“Na vjen keq që nuk e bënë një gjë të tillë dhe për këtë arsye nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike në dispozicion të tyre sipas ligjit kosovar për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese. Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popujve të cilëve u shërbejnë. Votimi është një liri e shoqërive demokratike”.

SHBA-të kanë ndjekur nga afër procesin e votimit në katër komunat në veri, duke përkujtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote dhe se ata vlerësojnë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces.

“Ne kuptojmë nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e komunave. Kryetarët e komunave në vend u zgjodhën dhe mbeten në vend, sipas kornizës ligjore të Kosovës”, u shpreh një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë në mbrëmje.

Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.

Kreu i KQZ-së njoftoi se në Leposaviq votuan 124 qytetarë nga rreth 13 mijë qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok votuan 18 qytetarë nga rreth 6 mijë me të drejtë vote apo 0.26 për qind, në Zveçan s’ka votuar askush, ndërsa në Mitrovicë të Veriut votuan 111 qytetarë nga rreth 18 mijë me të drejtë vote apo 0.59 për qind – nuk është shënuar snjë incident.

Pas dëshitimit të votimeve të 21 prillit 2024 në pjesën veriore të territorit kosovar, ku nuk morën pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët aktualë shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore