Lajme

SHBA, George Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit jo nga fentanili


Në seancën e radhës për vdekjen e afro amerikanit George Floyd, të entjen e 8 prillit ka dëshmuar mjeku specialist, Martin Tobin. Ai tha se Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit gjatë arrestimit të tij.

Duke kundërshtuar mbrojtjen, Tobin tha se fentanili nuk e shkaktoi vdekjen e Floyd. Ai dëshmoi se edhe një “person i shëndetshëm, do të kishte vdekur”.

Ish-oficeri Derek Chauvin, 45 vjeç, u filmua i gjunjëzuar në qafën e Floyd për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit të tij majin e vitit 2020. Kjo solli pastaj një sërë protestash globale kundër racizmit.

Chauvin është në gjyq për vrasje dhe ka mohuar akuzat kundër tij.

Gjyqi është në javën e tij të dytë dhe pritet të zgjasë të paktën një muaj. Mbrojtja pritet të fillojë të argumentojë çështjen e saj në gjykatë javën e ardhshme.

Çfarë thanë ekspertët për fentanilin?

Një raport i toksikologjisë i lëshuar qershorin e kaluar tha që Floyd kishte në sistemin e tij qetësuesin fentanil dhe ilaçin metamfetaminë. (lloj droge e lehtë që përdoret për dhimbje)

Që atëherë, mbrojtja ka argumentuar se fentanili shkaktoi humbjen e oksigjenit te Floyd.

Megjithatë Dr. Tobin, një mjek i kujdesit intensiv, tha se frymëmarrja e Floyd nuk u ngadalësua aq sa ilaçi i përdorur kundër dhimbjes të kishte qenë një faktor në humbjen totale të oksigjenit.

Më vonë në seancë, mbrojtja mori në pyetje kirurgun e policisë në Kentucky, Dr. Bill Smock, i cili punon për policinë e Louisville-s dhe është një ekspert në mjekësinë e urgjencës ligjore.

Dr. Smock tha se Floyd shfaqi “mungesë ajri”, në këtë rast trupi kërkon oksigjen. Ndërsa një mbidozë e fentanilit mund të ngadalësojë frymëmarrjen, ai tha se njerëzit që kalojnë mbi dozë nuk janë të vetëdijshëm se u mungon oksigjeni dhe shpesh duken të përgjumur.

Në të kundërt, ai tha se Floyd duket se ishte vigjilent.

Në marrjen në pyetje, ai pajtohet me mbrojtjen se nuk ishte e sigurt nëse ai kishte përdorur metamfetamine.

Dr. Smock gjithashtu i tha gjykatës se ndërsa shikonte pamjet, ai dëgjoi Floyd të ankohej se nuk ishte në gjendje të merrte frymë para se të shtrihej në tokë.

Çfarë tjetër ndodhi në gjykatë?

I pyetur për pozicionimin e prangave prapa shpinës së Floyd, shoqëruar me presionin e peshës së Chauvin kundër tij, Dr. Tobin tha se Floyd nuk ishte i aftë të mbushej me frymë.

Sipas mendimit të tij, ai tha se Floyd vdiq pasi një nivel i ulët i oksigjenit i ndaloi zemrën.

Dr. Tobin tha se pozicionimi i prangave ishte gjithashtu i rëndësishëm.

“Është mënyra se si ata janë duke u shtyrë, që ndërhyjnë plotësisht në tiparet qendrore të mënyrës se si ne marrim frymë”.

Dr Tobin tha se pozicioni i gjurit të Chauvin, duke u shtyrë poshtë në anën e majtë të gjoksit të Floyd, do të thoshte se ishte “pothuajse, sikur një kirurg të ishte futur brenda dhe të kishte hequr mushkërinë e majtë”.

“Ju mund ta shihni se ai është i vetëdijshëm, ju mund të shihni një dridhje të lehtë dhe pastaj ajo zhduket. Një sekondë ai është gjallë, një sekondë nuk është më”, tha ai para gjykatës.

‘Një person i shëndetshëm do të kishte vdekur gjithashtu’

Dr. Tobin tha se Floyd tashmë kishte treguar shenja të dëmtimit të trurit rreth katër minuta para se Chauvin të hiqte gjurin nga qafa. Si dhe një person i shëndetshëm po të ndodhej në këtë situatë “do të kishte vdekur” gjithashtu.

Rreth tre minuta para se Chauvin të hiqte gjurin, Dr. Tobin tha se “nuk kishte mbetur asnjë % oksigjeni në trupin e tij”.

“Gjuri mbetet në qafë për tre minuta dhe 27 sekonda pasi ai të marrë frymën për herë të fundit. Pasi oficerët e kanë gjetur veten se nuk ka puls, gjuri mbetet në qafë për dy minuta e 44 sekonda”.

Dr. Tobin tha se nëse Floyd do të vuante nga një gjendje koronare në atë kohë ai do të ishte “ankuar për dhimbje gjoksi dhe duke demonstruar një ritëm shumë të shpejtë të frymëmarrjes”, duke shtuar: “Ne nuk shohim asnjërin”.

Avokati i mbrojtjes, Eric Nelson gjithashtu sugjeroi që disa nga llogaritjet e Dr. Tobin ishin teorike, pasi ai po merrte peshën e Chauvin dhe peshën e pajisjeve të tij.

Nelson tha se Dr. Tobin kishte kaluar shumë më shumë kohë duke vlerësuar pamjet e incidentit sesa kohëzgjatjen e vetë incidentit.

Më vonë, toksikologu ligjor Daniel Isenschmid, laboratori i të cilit testoi mostrat e gjakut dhe urinës të Z. Floyd pas vdekjes së tij, u mor në pyetje për fentanilin e zbuluar në sistemin e Z. Floyd.

Dr. Isenschmid tha se kishte prova se disa nga fentanili ishin metabolizuar. Kjo do të thotë se një mbidozë ishte më pak e mundshme.

“Me një mbidozë, trupi zakonisht nuk do të kishte kohë për të djegur fentanilin dhe për këtë arsye ai do të priste që niveli metabolik të ishte më i ulët”.

Të Mërkurën, shefi i policisë së Minneapolis dëshmoi se Chauvin kishte shkelur politikën e agjencisë në fuqi gjatë arrestimit të Floyd.

Medaria Arradondo tha se mënyra se si Chauvin e kishte përmbajtur Floyd nuk ishte në përputhje me trajnimin dhe “sigurisht nuk ishte pjesë e etikës dhe vlerave tona”.

Nelson tha se veprimet e një oficeri duhet të shihen nga këndvështrimi i një oficeri në vendngjarje, jo në prapavijë.

Mbrojtja ka argumentuar se përpjekjet e Floyd për t’i rezistuar arrestimit e kërkuan përmbajtjen.

Kontrolluesi kryesor mjekësor, i cili kreu autopsinë e porositur nga qarku, pritet të japë prova të premten në gjyq.

Çfarë ka ndodhur deri tani?

Të hënën, gjykata dëgjoi gjithashtu nga Dr. Bradford Wankhede Langenfeld, i cili shpalli të vdekur Floyd 30 minuta pasi ai arriti në Qendrën Mjekësore të Qarkut Hennepin.

Dr. Lagenfeld tha se ai besonte se vdekja e Floyd ishte shkaktuar nga mungesa e oksigjenit, e quajtur asfiksi.

Prokurorët kanë sugjeruar që asfiksia ishte shkaku i vdekjes së Floyd. Ndërsa vendimi i ekzaminuesit mjekësor. Nxori në pah se Z. Floyd vdiq nga “arrest kardiopulmonar”.

Ekipi mbrojtës i Chauvin ka pohuar se përdorimi i dyshuar i drogës dhe një gjendje themelore e zemrës kanë kontribuar në vdekjen e Floyd.

Paraqitja e mjekut në gjykatë pason dëshminë e dy ndihmës mjekëve të cilët thanë se Floyd nuk kishte puls dhe nuk dukej se merrte frymë kur arritën në vendin e ngjarjes.

Në ditën e katërt të gjyqit ndaj policit Derek Chauvin, për vrasjen e amerikanit Gerorge Floyd, më 1 prill, dëshmuan dy ndihmës mjekë dhe e dashura e Floyd.

Dita e tretë e seancës gjyqësore, më 31 mars, për vdekjen e amerikanit me ngjyrë, George Floyd, u nis me pamjet e reja në momentin kur u shtri në tokë nga polici Derek Chauvin.

Seanca e dytë gjyqësore u mbajt më 30 mars, ku dëshmuan katër të rinj.

Në seancën e 29 marsit, dëshmoi Donald Williams, tha përpara prokurorisë, se Floyd ishte “duke u zbehur ngadalë”, gjatë nëntë minutave që Chauvin i vendosi gjurin midis kokës dhe qafës së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore