Lajme

Shala: Skemat e Qeverisë do prodhojnë historinë më të madhe të korrupsionit në Kosovë


Kujtim Shala ne Kuvend

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka folur për planin bazë të Qeverisë së Kosovës, që sipas tij është një dhe i vetëm – krijimi i sa më shumë skemave sociale dhe përmes tyre varësi të qytetarëve në raport me qeverinë.

“Problemi është se masat e qeverisë garantojnë vetëm një gjë: që shteti do të vazhdojë të vjelë taksa e tarifa, do të rrisë të hyrat, do të rritet buxheti dhe me një fjalë do të pasurohet shteti. Por, keni parasysh që taksat shteti edhe kur ua merr qytetarëve dëshiron të prodhojë më shumë buxhet që të prodhojë më shumë skema sociale, që s’kanë lidhje me zhvillim ekonomik, janë vetëm projekte politike”, tha Shala duke elaboruar tutje.

“Sepse kjo shumicë po ndërton skema të vetat elektorale duke krijuar varësi. Unë kam frikën që këto skema do të prodhojnë historinë më të madhe të korrupsionit në Kosovë”, deklaroi ai.

“Ne kemi rritje të inflacionit, pse? Qeveria është kthyer në një publikues të katalogëve të pragut të çmimeve. Pra kjo është e vërteta, prandaj nuk jep rezultat, prandaj inflacioni rritet. Dhe kot grumbullojmë buxhet, sepse ky buxhet nuk hyn në treg dhe edhe po hyri prapë nuk e zvogëlon inflacionin. Pra kemi prova që masat e qeverisë s’po funksionojnë, pse s’po e dëgjoni opozitën?”.

Sa i përket projektrezolutës që shumica e ka sjellur në Parlament, ku Kuvendit i kërkohet që Qeveria të marrë masa për ta adresuar rritjen e inflacionit, ai thotë se “do ta votoja, por është sikur të mos votoj asgjë”.

Sipas Shalës, propozimi nuk përben në vete politika dhe veprime specifike, porse vetëm përgjithësime të tipit “qeveria duhet të marr masa”.

Për vendimin e qeverisë që t’u caktojë çmim tavan produkteve esenciale, Shala pohoi se qeveria “synon të vendosë atë që quhet prag i çmimeve që në thelb është kontroll i tregut dhe pak më tutje kontroll i bizneseve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore