Lajme

Shakaja që u kthye në mashtrim global


Aktori dhe producenti amerikan Denzel Washington përdori një citim apokrif nga autori Mark Twain, si përgjigje ndaj pyetjes për një lajm të rremë që pretendonte se ai do të votonte për Donald Trump-in në vitin 2016.

“Nëse nuk i lexoni gazetat, jeni të painformuar. Nëse i lexoni, jeni të keqinformuar”, deklaronte asokohe ikona hollivudiane.

Shakaja e një përdoruesi italian të medias sociale “X”, i cili mendoi ta shndërronte gazetarin Marco Violi në Mark Violets dhe ta cilësonte si sulmuesin e Trump-it, në pak minuta u shndërrua në një mashtrim me ndikim global. Një çështje e algoritmeve dhe mungesës së profesionalizmit.

Sapo depërtoi dhomën e konsumatorëve të lajmeve (profile të zakonshme) për të hyrë në dhomën e ndikuesve dhe vendimmarrësve, shakaja u kthye në një mashtrim të vërtetë.

Për të dhënë një ide të ndikimit: Historia e Mark Violets u postua nga korrespondenti i parë i shtypit i Shtëpisë së Bardhë dhe nga kanale të ndryshme televizive kombëtare.

Për orë të tëra gazetat kërkonin informacione për Violets, për të kuptuar se kush ishte dhe çfarë motivesh e kishin shtyrë që të kryente sulmin.

Kësaj radhe, “Violetsgate” nuk kishte asnjë psyop (operacion psikologjik – ed.) kompleks të bazuar në bots-e dhe troll-e, por një kalamendje e shkaktuar nga një shaka që me përzierjen e algoritmit dhe gazetarisë amatore u bë virale.

Historia kishte zënë rrënjë jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Indi, botën arabe dhe Amerikën Latine.

Intervista

“U zgjova në dy të natës dhe gjërat kishin dalë tashmë jashtë kontrollit: telefoni im po bombardohej me njoftime. Është absurde, absurde. Do të bëj një ankesë të hënën, nuk më zuri më gjumi dhe nisa të mblidhja materiale për t’ia dërguar avokatit tim”.

Kështu deklaroi Marco Violi, gazetari italian i regjistruar si publicist, në një përgjigje për botimin “Corriere della Sera” nga shtëpia e tij në Romë.

Së fundmi ai mohoi në median sociale “Instagram” se ishte njeriu që qëlloi ish-presidentin amerikan dhe kandidatin për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.

“Nuk e kisha idenë më të vogël se çfarë kishte ndodhur. Lajmet që qarkullojnë për mua janë krejtësisht të pabaza”, shtoi ai në deklaratën për gazetën italiane.

Togfjalëshi “Mark Violets” regjistroi një kulm në mbrëmjen midis së shtunës dhe të dielës, kur nisën të vinin lajmet e para për sulmin ndaj Trump. Emri i sulmuesit të vërtetë – Thomas Matthew Crooks – u konfirmua nga FBI-ja vetëm të dielën në mëngjes.

Gjatë natës, ndërsa faqet e internetit të gazetave dhe televizioneve shfaqnin pamjet e para të fytyrës së përgjakur të ish-presidentit amerikan, një sërë profilesh të ndjekura gjerësisht në X publikuan një foto të Violi-t, duke shkruar se departamenti i policisë së Butler’it – komuna e Pensilvanisë ku Trump po zhvillonte mitingun e tij para se të qëllohej – e kishte identifikuar sulmuesin si “Mark Violets, anëtar i Antifas”.

Në postimin e Wall Street Silver, një profil me 1.3 milionë ndjekës, jo më i disponueshëm, por e përjetësuar nga gazeta online Open, një referencë për një video të publikuar në Youtube, në të cilën Violets deklaronte se “drejtësia po vjen”.

Eksperti i reputacionit në internet dhe themeluesi i “The Fool”, Matteo Flora, identifikoi profilin “Moussolinho” si krijuesin e lajmit të rremë: historinë e sulmuesit Mark Violets dhe teoria se ai ishte i lidhur me lëvizjen e ekstremit të majtë Antifa.

Kjo e fundit, u shndërrua në mjete propagande për faqet, kanalet Telegram dhe Youtube dhe profilet me dhjetëra mijëra ndjekës në anglisht dhe spanjisht, siç shihet në pamjet e ekranit të mbledhura nga Flora dhe Open.

Në listën e atyre që morën për bazë këtë histori ka fatkeqësisht edhe faqe gazetash me ndikim apo media televizive kryesore.

Violi nënvizon se ka qenë viktimë prej vitesh e përdoruesit të “X” me emrin “Moussolinho” dhe komunitetit futbollistik italian të Twitter-it, një grup burrash dhe grash italiane shumë aktivë në X që flasin vetëm për futbollin dhe gjëra të ngjashme.

“Më shënjestruan në vitin 2018, sepse isha shumë kritik ndaj presidencës Pallotta (të Romës, ed.). Gjërat u bënë shumë serioze dhe madje erdhën në shtëpinë time. Prokuroria ende nuk ka bërë asgjë”.

Nuk është hera e parë në këtë mesele që dikush tenton të kalojë Violi-n si sulmues.

Në vitin 2021 ai do të lidhej me sulmin në Kongsberg të Norvegjisë, me emrin Marek Al-Viol: gjurmët e tij mund të gjenden, si dhe në mediat sociale, në një nga faqet për të cilat Violi është përgjegjës, “romagiallorossa.it”.

Reagimet

Kjo histori mori po ashtu mbulim të gjerë nga redaksitë kryesore amerikane si “Bloomberg”, “Washington Post” dhe “NBC News”, të cilat listuan një sërë fake-news që qarkulluan menjëherë në rrjet.

Disa momente pasi ish-presidenti Donald Trump u shoqërua nga skena pas të shtënave, pretendime të pabaza për ngjarjen u përhapën në platformat kryesore të mediave sociale, shkruan kompania mediatike “Bloomberg”.

Postimet, duke përfshirë disa të shkruara nga politikanë amerikanë që mbanin poste të zgjedhura, pretendonin pa prova se presidenti Joe Biden ishte urdhëruesi i të shtënave gjatë tubimit.

Të tjerë deklaruan në mënyrë të pabazë se incidenti ishte i inskenuar, ose qarkulluan postime që e identifikonin gabimisht autorin, vijon “Bloomberg”.

Gazeta amerikane “Washington Post” theksoi në artikullin e saj se disa llogari nga e majta e spektrit politik pohuan menjëherë se të shtënat ishin një operacion “flamur i rremë” i kryer nga vetë mbështetësit e Trump-it.

“Incidentet e dhunës politike nxisin teori konspirative dhe narrativa të rreme kur njerëzit përpiqen të vërvisin ngjarjen për t’iu përshtatur agjendave të tyre të ndryshme”, tha për WP-në Megan Squire, zëvendës drejtore për analitikën e të dhënave.

Dinamika vetëm sa përkeqësohet, thonë ekspertët, nga mjedisi aktual politik ku amerikanët gjithnjë e më shumë nuk mund të bien dakord për një grup të përbashkët faktesh dhe ekzistojnë në realitete alternative – dhe të veçanta.

Një numër llogarish pohuan në mënyrë të rreme se “ekstremisti antifa Mark Violets” ishte sulmuesi në tubim dhe se ai kishte diskutuar planin e tij më herët në një video në YouTube. Por në video shfaqej imazhi i një personi tjetër që nuk kishte asnjë lidhje me të shtënat, vërejti gjithashtu “Washington Post”.

“Platformat e internetit shpesh përpiqen të përmbajnë dezinformata virale rreth ngjarjeve katastrofike menjëherë pasi ato ndodhin për shkak të mungesës së informacionit të besueshëm dhe kohës që duhet për t’iu përgjigjur atyre”, deklaroi për WP-në, Katie Harbath, një ish-drejtoreshë e politikave publike në Facebook.

Pas të shtënave që u kthyen në tituj ndërkombëtarë – qoftë për shaka, për të mashtruar mediat apo për të luajtur me algoritmin për angazhimin dhe ndjekësit – llogaritë anonime të mediave sociale shpesh mbushin boshllëkun e informacionit me postime që keqidentifikojnë fajtorët.

Gazetari italian Marco Violi ishte sulmuesi i Trump-it për disa momente, ndërsa për disa lexues, ai mbetet ende sulmuesi i ish-presidentit amerikan.

Ata po dëfrehen sakaq me shakanë që u kthye në një mashtrim global.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore