Lajme

Sfidat “gjuhësore” për të stërvitur ushtarët ukrainas


Të mësosh ushtarët e papërvojë se si të operojnë një tank në vijën e frontit në vetëm gjashtë javë nuk do të ishte kurrë e lehtë.

Por kur oficerët gjermanë, holandezë dhe danezë u mblodhën në një zonë të gjelbëruar rurale të Gjermanisë së Veriut për të trajnuar ushtarët ukrainas, ata nuk prisnin që mungesa e përkthyesve kompetent të ishte çështja kryesore.

Kështu e nis artikullin e saj londinezja “Financial Times”, duke nxjerrë në pah sfidat gjuhësore për të stërvitur ushtarët ukrainas.

“Përkthyesit janë sfida numër një”, tha për FT-në Martin Bonn, një gjeneral brigade holandez i cili është nënkryetari i misionit të trajnimit shumëkombësh të BE-së nisur nëntorin e kaluar për të stërvitur ukrainasit mbi një sërë armësh dhe taktikash.

Kiev-i zyrtar dhe kryeqytetet perëndimore po ofrojnë përkthyes, të cilët shpesh kanë vështirësi me fjalorin e nevojshëm.

Deri në fund të vitit, 10 mijë ushtarë ukrainas do të kenë marrë trajnime në Gjermani, pjesë e një përpjekjeje më të gjerë perëndimore për të pajisur forcat e armatosura ukrainase me tanke, artileri dhe sisteme të mbrojtjes ajrore që ka parë 63 mijë rekrutë të dërguar nga Kievi për të ndjekur kampet e trajnimit në Evropë dhe SHBA.

“Sfida e madhe është përkthimi i fjalëve të përdorura në një kontekst ushtarak ose teknik. Fjalët që askush nuk i përdor në jetën e përditshme”, tha Bonn pasi ushtarët ukrainas morën pjesë në një stërvitje me tanke në një bazë ushtarake pranë Klietz-it në Gjermaninë verilindore.

Ushtritë perëndimore – përvoja më e fundit luftarake e të cilëve në Irak dhe Afganistan ndryshon shumë nga lufta më tradicionale që po zhvillohet në Ukrainë – thonë gjithashtu se po mësojnë nga forcat e armatosura ukrainase.

Gjermania nuk është i vetmi vend që ka luftuar me çështjet e përkthimit gjatë programeve të trajnimit.

Një problem i ngjashëm ka dalë në pah në Danimarkë, ku rreth tetë pilotë ukrainas dhe dhjetëra staf mbështetës po stërviten për të fluturuar me luftarakët F-16 në bazën ajrore Skrydstrup.

Zyrtarët ushtarakë danezë thanë se trajnimi – i cili u bë edhe më urgjent pasi Kopenhagen-itë dielën bëri një zotim të përbashkët me Holandën për të dhuruar avionët e tyre luftarakë në Ukrainë – po ndalohej nga leja e sigurisë për pilotët.

Shkathtësitë gjuhësore dhe kontrollet shëndetësore ishin arsye të tjera për ngecjen, thanë zyrtarët sipas “Financial Times”.

Sakaq, komandantët evropianë thonë se janë në kontakt të ngushtë me homologët e tyre ukrainas dhe kërkojnë t’i përgjigjen shpejt reagimeve dhe kërkesave në ndryshim, ndërsa Kiev-i zyrtar përpiqet të mbështesë kundërsulmin e tij “belbëzues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore