Aplikacione

Sfida ligjore e TikTok-ut për të dhënat e fëmijëve


Platforma e shpërndarjes së videove në internet, TikTok, po përballet me një sfidë ligjore mbi mënyrën se si grumbullon dhe përdor të dhënat e fëmijëve me ish komisioneren e fëmijëve për Anglinë, Anne Longgield.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se pretendimi po depozitohet në emër të mijëra fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të cilët kanë përdorur në masë aplikacionin.

Mirëpo, vetë TikTok-u e ka cilësuar çështjen si të pamerituar dhe ka deklaruar se do ta luftojë atë.

Pritet që avokatët e çështjes të ngrenë pretendimin që platforma merr informacione personale të fëmijëve duke përfshirë numrat e telefonit, videot, vendndodhjen e saktë dhe të dhënat biometrike pa marrë pëlqimin e kërkuar nga ligji, pa transparencë dhe pa paralajmërimin e mjaftueshëm.

Kjo do të thotë që as prindërit dhe as fëmijët nuk janë vënë në dijeni se çfarë ndodh me ato informacione.

Në përgjigje të kësaj, TikTok-u ka sqaruar se “privatësia dhe siguria janë përparësitë kryesore për TikTok-un dhe kemi politika të fuqishme, procese dhe teknologji të vendosura për të ndihmuar në mbrojtjen e të gjithë përdoruesve dhe veçanërisht të përdoruesve tani që janë adoleshentë”.

Longfield është shprehur për BBC se arsyeja e përqendrimit te TikTok-u ishte jo për shkak të mbledhjes së të dhënave pasi këtë e bëjnë edhe platformat e tjera të medias sociale. Por, ndryshe nga to, TikTok-u për të kishte politika “të tepërta” të mbledhjes së të dhënave.

Ajo ka vazhduar se “TikTok-u është një platformë jashtëzakonisht e popullarizuar e mediave sociale që ka ndihmuar fëmijët të mbajnë lidhje me miqtë e tyre gjatë gjatë një viti tepër të vështirë. Sidoqoftë, prapa këngëve argëtuese, sfidave të vallëzimit dhe trendëve të sinkronizimit të buzëve, qëndron diçka shumë më e keqe”.

Sipas Longefield, shërbimi i mbledhjes së të dhënave është i manipuluar në formën e një rrjeti social dhe mashtron qëllimisht prindërit e fëmijëve. Ajo thotë se ata kanë një të drejtë të dinë se çfarë informacioni privat po mblidhet përmes praktikave “hije” të mbledhjes së të dhënave.

BBC tregon se çështja po përfaqësohet nga firma ligjore “Scott and Scott”. Tom Southwell, partner i firmës, ka thënë se informacioni i mbledhur nga TikTok-u përfaqëson një shkelje të rëndë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian.

Ai ka shtuar se “të ardhurat nga reklamat e TikTok-ut dhe ByteDance-it janë të bazuara në informacionin personal të përdoruesve të saj, përfshirë fëmijët. Të përfitosh nga ky informacion pa përmbushur detyrimet e tij ligjore dhe morale për mbrojtjen e fëmijëve në internet, është e papranueshme’.

Aplikacioni numëron rreth 800 milionë përdorues në të gjithë botën dhe firma mëmë e quajtur ByteDance, gjatë vitit të kaluar ka arritur miliarda fitime, pjesa dërrmuese e të cilave kanë ardhur prej reklamave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore