Lajme

Sfida e Musk-ut për prodhimin e baterive të makinave elektrike


Elon Musk dëshiron të prodhojë bateri më të lira dhe më shpejt.

Por nuk ka gjasa të kapë objektivat ambicioze që Tesla të prodhojë në masë bateritë e veta të reja këtë vit.

Të paktën kështu mendojnë analistët.

Ama Musk-u njihet për sfida, duke nisur nga kthimi i Tesla-s në kompaninë më të vlefshme të makinave në botë, sfidat e nisjes së një fabrike të re dhe zhvillimit të një mënyre të re të prodhimit të baterive.

Në këtë sfidë të re, aksionet janë të larta.

Çmimet e përbërësve të baterive si nikeli kanë shënuar rekorde këtë javë nga frika e furnizimit që vjen prej konfliktit Rusi-Ukrainë.

Në janar, Musk-u ka parashikuar kufizime në furnizimin e baterive vitin e ardhshëm, duke e bërë prodhimin e brendshëm një çelës për rritjen.

“Ai po ndryshon mënyrën se si bëhet prodhimi i baterive”, ka thënë Shirley Meng, profesoreshë e Universitetit të Çikagos, e cila më parë ka punuar me Maxwell-in, një kompani e teknologjisë së baterive e blerë nga Tesla.

“Është me të vërtetë, me të vërtetë e vështirë për t’u prodhuar me shpejtësi”, ka treguar ajo.

Kurse eksperti Gene Munster e sheh Tesla-n duke mposhtur objektivat e saj për një kohë më të gjatë, por duke filluar ngadalë, duke pasur parasysh historinë e prodhimit të modeleve të reja.

Për vetë Musk-un, prodhimi i baterive në shkallë të gjerë do të jetë shumë i vështirë, por bateritë janë kritike për qëllimin e tij për të ndërtuar makina elektrike më pak të shtrenjta dhe me rreze më të gjatë veprimi.

Këto të fundit pritet ta mbajnë Tesla-n përpara një pakete në rritje konkurrentësh.

Tesla, ngjashëm si prodhuesit e tjerë të automjeteve, merr bateri nga furnitorë si Panasonic Corp, CATL dhe LG Energy Solution.

Në fund të vitit 2020, Musk-u ka njoftuar se kompania e tij synon të përgjysmojë kostot e pjesës më të shtrenjtë të një makine elektrike duke prodhuar bateritë e veta.

Bateritë litium-jon 4680 të Tesla-s, me diametër 46 milimetra dhe gjatësi 80 milimetra, mbajnë rreth pesë herë energjinë e qelizave më të vogla 2170.

Kompania mund të përdorë një numër më të vogël qelizash të reja për të njëjtën energji dhe diapazon lëvizës, duke ulur kostot.

Musk-u, në vitin 2020, ka thënë po ashtu se Tesla do të ketë kapacitet për të prodhuar 100 gigavat orë me bateritë 4680 këtë vit, të mjaftueshme për të fuqizuar rreth 1.3 milionë makina.

Ajo pritet të dorëzojë gati 1.4 milionë automjete këtë vit.

 

Marrë nga “Reuters”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore