Shqipëria

Sezon turistik “COVID-free”, por me “mungesë të fuqisë punëtore” në Shqipëri


Teksa na ndajnë edhe 10 ditë nga çelja e sezonit turistik dhe, përballë faktit që pritet të jetë një sezon “COVID-free” – janë hequr të gjitha masat kufizuese – kreu i Unionit të Turizmit, Rrahman Kasa, ka bërë të ditur se ky sektor po përballet me vështirësi të mëdha.

Për Albanian Post, ai liston një sërë problematikash, si: mungesa e stafit të kualifikuar, infrastruktura dhe mungesa e mbështetjes nga instancat shtetërore.

Por, nga ana tjetër, sipas studimit më të fundit të Fondacionit të Trajnimeve Evropiane, vendet e Ballkanit Perëndimor “do të vuajnë edhe nga mungesa e fuqisë punëtore”.

Kjo për shkak të rritjes së lartë të emigracionit, sidomos në Shqipëri.

Sakaq, sipas Institutit të Statistikave, Shqipëria ka përjetuar një emigracion masiv, me 42 mijë e 48 njerëz që u larguan nga vendi gjatë vitit 2021, kundrejt vetëm 9 mijë e 195 emigrantëve.

Kjo e la vendin tonë me migrim neto prej -32 mijë e 853, krahasuar me -16 mijë e 684 në vitin 2020, kur lëvizshmëria u pengua nga pandemia e Coronavirus-it.

Ndërkohë, vihet re se “ky largim ka parë një numër relativisht të lartë të grupmoshës 20-24 vjeç”.

Kasa shpjegon se, pavarësisht masave që u hoqën dhe rikthimit të muzikës, subjektet në bregdetet shqiptare po përballen me një mungesë të theksuar të punëtorëve.

“Sivjet kërkimi i stafit të kualifikuar është më keq, pasi duke qenë se ishim në dy vite pandemi u detyruan që pronarët të largonin nga puna stafin, për shkak të pamundësisë së pagesave dhe nuk kishin prodhim”.

Ndërkohë që rritja e numrit të vizitorëve dhe shtimi i strukturave akomoduese ka bërë që sektori i turizmit dhe shërbimit të kërkojë të zgjerojë punësimin me 20-30%.

Konkretisht kërkesa më e madhe për punonjës shtesë po hasin subjektet në zonat bregdetare.

Sipas Kasës, lufta në Ukrainë e ka thelluar këtë hendek, i cili duhet të mbushet.

Një tjetër arsye, sipas tij, janë kërkesat e punëtorëve sezonalë, të cilët duan punë të përhershme dhe pagë më të lartë.

“Ai pak staf i kualifikuar që ishte, gjeti alternativa të reja. Kanë ikur jashtë shtetit, ose kanë gjetur një alternativë tjetër pune me pagë më të mirë”.

Lidhur me këtë problematikë, Kasa bëri me dije se, duke qenë se askush nuk dëshiron të punojë vetëm punë sezonale, kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Turizmit që “gjashtë muaj të vitit t’i marrë përsipër pronari i hotelit dhe gjashtë muaj të tjera pagesën minimale shteti”.

I pyetur nga Albanian Post nëse ka pasur reagim nga Ministria, ai u shpreh që, pavarësisht se kjo kërkesë është bërë mediatike, “askush nuk e merr përsipër”.

Ndikimi i luftës në sektorin e turizmit

Operatorët e agjencive turistike këtë vit kishin parashikuar një rritje të numrit të vizitorëve të huaj, pas heqjes së kufizimeve të COVID-19.

Sipas statistikave, përgjatë vitit 2021, në territoret shqiptare, kanë hyrë 110 mijë shtetas ukrainas, rreth 36 mijë shtetas nga Rusia.

Përveç Rusisë, pritet edhe një mungesë nga shtetet si Bjellorusia, e cila vitin e fundit solli në Shqipëri 2 mijë e 500 turistë.

Pjesëmarrja e turistëve nga këto tri shtete, sipas INSTAT-it, përbën afro 3 për qind të totalit të turistëve në Shqipëri.

Me një llogaritje të thjeshtë, ndikimi financiar mund të arrijë deri në 70 milionë euro minus.

Ndërsa Kasa ka ravijëzuar se kjo do të ndikojë negativisht në këtë sezon, duke sjellë kështu humbje të mëdha ekonomike.

Pamje nga Porto Palermo, në Qeparo, Vlorë

Po ashtu, edhe për vendasit Kasa ka theksuar se konflikti në Ukrainë ka rritur koston e jetesës me gati 50%.

“Kjo rritje e çmimeve do të ndikojë dukshëm në rezervime, sepse duke qenë çmimi i shtrenjtë njerëzit do të frenohen për mosmundësi financiare, pasi kostoja e jetës është rritur edhe për vetë qytetarët”.

Sipas tij, vetëm këtë sezon priteshin që në tokën shqiptare të uleshin 24 aeroplanë çarter në javë, kryesisht nga Ukraina, por konflikti atje me shumë gjasë mund të sjellë anulim kontratash.

Të njëjtën gjë kanë konfirmuar edhe operatorët turistikë se këtë vit pritej një rritje e kërkesave nga këto vende, por tashmë shpresat janë shuar.

Turizmi në vend, sipas ekspertëve, është një sektor jetësor për ekonominë shqiptare dhe zhvillimin e saj.

Kjo luftë duket se “do të shterojë” mundësinë e ardhjes së turistëve duke ndikuar drejtpërdrejtë në këtë sektor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore