Serwer vlerëson se bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë kanë dhënë më shumë rezultate sesa dialogu në nivel politik

SHFLETO

Daniel Serwer

 

Armat Matoshi
26.06.2024 11:10
Loading Icons...

Daniel Serwer, specialist në fushën e menaxhimit të konfliktit, në tryezën e diskutimit “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” të mërkurën, ka vlerësuar se bisedimet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), kanë prodhuar më shumë rezultate sesa dialogu në nivel politik për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai ka theksuar se Kosova dhe Serbia nuk janë akoma gati për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në nivel politik, duke qenë se Serbia refuzon ta njohë Kosovën, kurse Kosova refuzon ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Prandaj, ka shtuar profesori amerikan, diplomatët evropianë duhet t’i kthehen procesit në nivel teknik për të arritur progres në dialog.

Ndryshe, në tetor të vitit 2012, procesi i dialogut teknik ka kaluar në nivelin politik. Që nga ajo kohë janë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha marrëveshjet janë zbatuar, kryesisht për shkak të mosgatishmërisë së palëve, veçanërisht të Serbisë, për t’i respektuar marrëveshjet e arritura.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje bazike për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2023. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.