Lajme

Serwer me shqetësime të mëdha për draftin e fundit që ka parë të propozimit franko-gjerman


Daniel Serwer

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovës dhe Serbisë, është shprehur i zhgënjyer me draftin e fundit që ka parë të propozimit franko-gjerman.

Ai ka vënë në dukej se ky draft, që u publikua nga media serbe Danas, më shumë flet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sasa draftet e kaluara.

Veçanërisht, për këtë çështje flitet në nenin shtatë.

“Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete në pajtim me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës duke përdorur eksperiencat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurojë nivel të kënaqshëm të vetëqeverisjes për Komunitetin Serb në Kosovë dhe mundësinë e shërbimeve në Kosovë. Përfshirë këtu edhe asistencën nga Serbia dhe kanalet direkte të komunikimit mes komuniteti serb dhe qeverisë së Kosovës”, thotë ky nen.

Serwer deklaron se “paragrafi i parë nuk është i mirë”.

Kjo sepse, “dështon ta bëjë referencë kushtetutën e Kosovës si bazë për ato marrëveshje konkrete. Gjithashtu dështon të kërkojë reciprocitet për shqiptarët e Luginës. Pastaj, çfarë do të thotë ‘mundësi për asistencë financiare nga Serbia?’”, pyet Serwer.

“Nuk është e qartë as se çfarë kanale direkte të komunikimit me Kosovë do ketë apo çka nënkupton kjo”, shkruan Serwer në bllogun e tij, duke shtuar se “veçse është një Këshill i Komunave në Kosovë që ka president”.

Danas publikon versionin e fundit të “Marrëveshjes Bazë” – këto janë 10 pikat

Sipas studiuesit amerikan, një tjetër mungesë në këtë draft të fundit është edhe fakti se aty nuk jepet ndonjë garanci që Kosovën do ta njohin 5 shtetet mos-njohëse anëtare të Bashkimit Evropian.

“Dështimi për të marrë njohjet nga pesë mos-njohësit e prishë punën. Mbase s’ka nevojë të jetë në këtë tekst, por do të duhej të ndodhë në mënyrë që Kosova të bindet që normalizimi është i vërtetë”.

Serwer gjithashtu është shprehur se për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve perëndimi do të duhej të bënte presion tek Serbia ashtu siç po bën presion te Kosova.

“Presioni mbi Kosovën ka qenë prej kohësh i dukshëm. Është relativisht lehtë për t’i bërë presion një vendi që s’ka opsion tjetër përveçse t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së. Presioni ndaj Serbisë është shumë më i vogël. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka luajtur suksesshëm lojën, duke balancuar Rusinë dhe Kinën kundër BE-së dhe SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore