Kosova

Sërish protestohet të hënën: Përdhunimi i 11-vjeçares s’tejkalohet me dy shkarkime


Protesta e mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Të hënën sërish do të protestohet për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë persona.

Këtë protestë e kanë organizuar gjashtë organizata joqeveritare kjo për arsyeje pasi sipas tyre kjo çështje nuk mund të tejkalohet vetëm me dy shkarkime.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Femnist, YIHR KS, CEL, QIKA, QIPS dhe QKSGj kanë bërë të ditur se protesta do të mbahet të hënën nga ora 12:00 para ndërtesës së Qeverisë.

“Përdhunimi i vajzës 11-vjeçare nga 5 djem e burra dhe dështimi institucional nuk mund të tejkalohet me dy shkarkime, dorëheqje e lojë fajësimesh mes institucionesh. Dhuna ndaj vajzave dhe grave është në nivele pandemike, andaj dhe luftimi i saj duhet të jetë urgjencë kombëtare”, thuhet në njoftim.

Më këtë protestë këto organizata synojnë plotësimin e disa kërkesave.

“Legalizimi i përdorimit dhe shpërndarjes së gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray), shkarkimi i zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës, krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici, siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla”.

Edhe të martën dhe të mërkurën është protestuar në Prishtinë nga mijëra qytetarë.

Ndërkaq, për këtë rast është shkarkuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.

11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë. Për rastin e saj kanë reaguar qytetarë, aktivistë, figura të njohura e politikanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore