Kosova

Sërish protestë para qeverisë nga punëtorët e Lotarisë së Kosovës


Punëtorët e lotarisë në protestën e 22 tetorit.

Sërish Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, ka bërë të ditur se të mërkurën do të protestojnë duke filluar nga ora 11:30 para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

“Punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me neglizhencën që po ju bëhet nga ana e institucioneve përkatëse përkundër premtimeve të bëra ku pakënaqësinë e tyre do ta shprehin me anë të protestave”.

Kërkesë e punëtorëve të Lotarisë së Kosovës është miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve, pagave të punëtorëve, nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës.

Punëtorët e lotarisë në protestën e 22 tetorit.

Ata kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Edhe më 22 tetor, punëtorët e lotarisë kishin protestuar para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar të drejtat e tyre, kthimin në punë dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për këtë institucion.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës me pankarta në duar kishin pasur disa kërkesa si “Kërkojmë pagat tona”, “Mos na rrezikoni ekzistencën e familjeve”, “Qeveria pronare, punëtorët në rrugë”, “Edhe fëmijët tanë e duan jetën”, “Mbajeni premtimin miratoni ligjin”, “Pranuar dhe certifikuar në Evropë, anashkaluar në Kosovë”.

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në muajin mars të vitit 2019, kishte sponsorizuar një ligj në Kuvend, ku ndaloheshin lojërat e fatit, që përfshinin kazinotë, bastoret etj.

Por ky ligj kishte mbyllur edhe lotarinë e shtetit.

As Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, nuk e kishte zgjidhur problemin e këtyre punëtorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore