Lajme

Sërish aktakuzë për korrupsion ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha


Dhurata Hoxha.

Prokuroria Speciale në Kosovë, ka ngritur edhe një aktakuzë ndaj ish ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Ndërsa, bashkë me Hoxhën thuhet se akuzohen edhe tre të pandehurit me inicialet F.M dhe G.D, ka raportuar, “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit dyshohen se në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Aktakuzë kundër katër personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Prishtinë, 10 maj 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër katër (4) të pandehurve me iniciale F.M., Dh.H., G.D dhe E.T”.

“Prokurori Speciale njofton se tre të pandehurit me inicialet F.M., Dh.H dhe G.D, në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së. Ndërkaq i pandehuri E.T. dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale.

Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestarë të mbajtur më 1 shtator të 2021.

Ky rast gjykohet nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Dhurata Hoxha, ish-ministre e Integrimeve Evropiane në Kosovë

Më pas, në aktakuzë thuhet se më 21 shkurt 2019, Hoxha kishte kërkuar nga UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MIE-së, Kushtrim Cukaj vazhdimin e kontratës së lartcekur në bazë të procedurës së njëjtë, me këtë rast iaa ka mundësuar “Majorelle PR & Events” që të vazhdojë kontratën në vlerë prej 168 mijë euro dhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Hoxha më 24 prill 2019, kishte kërkuar nga i akuzuari Cukaj që për aktivitetin e lartcekur të nis procedurat e prokurimit, duke përcaktuar procedurat që duhej aplikuar dhe emrin e operatorit ekonomik, “Madison Strategies LLC”, ku më 17 qershor 2019 është lidhur kontrata me këtë kompani në vlerë prej 152 mijë e 232 euro.

Mustafa akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Divizionit të Prokurimit në MIE, i ishte drejtuar me kërkesë të akuzuarve Cakaj dhe Shasha, me anë të së cilës kishte kërkuar që kërkesat e parashtruara nga Hoxha për miratimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të miratoheshin edhe pse i njëjti e dinte se janë në kundërshtim me ligjin.

Demush Shasha, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të MIE-së dhe Kushtrim Cukaj e Nuhi Osmani në cilësinë e UD-ve të kësaj pozite akuzohen nga PSRK-ja, se kishin aprovuar kërkesat e parashtruara nga i akuzuari Mustafa dhe kishin lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse e dinin se kërkesa e parashtruar ishte në kundërshtim me ligj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore