Serie A: Milan, Juventus dhe Atalanta nuk dështojnë në garën për Ligën e Kampionëve

SHFLETO
albanianpost
13.05.2021 10:40
Loading Icons...

Të mërkurën mbrëma është mbyllur java e 36-të e kampionatit italian, Serie A.

E gjithë vëmendja ishte te gara për zonën Champions, me Milanon, Juventusin dhe Atalantën.

Skuadra e Milanos e deklasoi Torinon me rezultat 0:7, rezultat ky i cili nuk është parë me vite të tëra nga kuqezinjtë.

Në pjesën e parë shënuan Theo Hernandez një supergol nga jashtë zone dhe Franck Kessie nga pika e bardhë e penalltisë.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë ishin të papërmbajtshëm, duke shënuar edhe pesë herë të tjera në portën e Torinos.

Ante Rebic realizoi një tre-golësh, pastaj Brahim Diaz gjeti rrjetën në ndeshjen e dytë radhazi, si dhe Theo Hernandez realizoi të dytin personal në ndeshje.

Me këtë sukses, skuadra e Milanos zë vendin e tretë në tabelë me 75 pikë, po aq sa ka edhe Atalanta e vendit të dytë, ndërsa Torino gjendet në vendin e 16-ë me 35 pikë, katër më shumë se zona e rënies.

Për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm, skuadrës së Stefano Piolit i nevojitet vetëm edhe një fitore në dy ndeshjet e fundit, që përballë do të ketë fillimisht Cagliarin të dielën, e më pas në javën e fundit do të përballet me Atalantën.

Fitore siguroi edhe Juventusi, që e mposhtën në udhëtim skuadrën e Sassuolos me rezultat 1:3.

Vendasit fillimisht humbën një penallti në minutën e 16-të, me anë të Domenico Berardit, pastaj mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 28-të, përmes Adrien Rabiot.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Cristiano Ronaldo dyfishoi epërsinë e bardhezinjëve, që njëherësh ishte edhe goli i 100-të i tij me skuadrën e Juventusit.

Në pjesën e dytë, talenti i Sassuolos, Giacomo Raspadori ngushtoi epërsinë në minutën e 59-të, pastaj vetëm dy minuta më vonë, Paolo Dybala shënoi për rezultatin përfundimtar 1:3.

Me këtë fitore, skuadra e Andrea Pirlos, mbetet në vendin e pestë ne tabelë me 72 pikë, një më pak se Napoli i vendit të katërt, ndërsa edhe Sassuolo nuk ndërron vendin e tetë me 56 pikë.

Fitore për zonën Champions arriti edhe Atalanta të cilët e mposhtën Beneventon e Filippo Inzaghit, me rezultat të pastër 2:0.

Bergamaskët shënuan nga një gol në secilën pjesë, Lusin Muriel në minutën e 22-të dhe Mario Pasalic në të 67-tën, për të mbajtur ende vendin e dytë në Serie A.

Fitore siguruan edhe kampionët e këtij edicioni në Serie A, Inter, duke e mposhtur Romën me rezultat 3:1.

Brozovic në minutën e 11-të dhe Vecino në të 20-tën realizuan për skuadrën e Interit, ndërsa Mkhitaryan ngushtoi shifrat në minutën e 31-të.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi 2:1 të Interit, teksa në të dytën goli i vetëm u realizua në sekondat e fundit të takimit përmes sulmuesit Romelu Lukaku.

Fitore krejt në fund arriti edhe skuadra e Lazios, që me shumë vështirësi e mposhti Parmën tashmë të rënë nga liga.

Ciro Imobile realizoi golin e vetëm në ndeshje, në minutën e 95-të.

Kujtojmë që në këtë ndeshje luajti nga minuta e parë edhe futbollisti i Kosovës, Vedat Muriqi, por pa arritur që të lërë gjurmë.

Në ndeshjet tjera të së mërkurës, Cagliari dhe Fiorentina barazuan pa gola, Genoa mposhti në udhëtim Bolognan me rezultat 2:2 dhe Sampdoria barazoi me Spezian me rezultat 2:2.