Përballje

Serie A/ Milan-i luan për kreun e tabelës, Napoli kërkon suksesin ndaj Bologna-s


Sonte (e hënë) do të mbyllet java e 22-të në Serie A, ku në program janë për tu zhvilluar tri ndeshje.

Milan-i do të ketë një takim tejet të rëndësishëm në ora 18:30, ku do të përballet me Spezia-n në shtëpi.

Kjo sfidë për kuqezinjtë do të vlejë shumë, pasi që në rast të fitores, do të rrëmbenin vendin e parë në Serie A.

Pra, në rast të suksesit të “rosonerëve”, ata do të parakalonin Inter-in në tabelë, duke grumbulluar 51 pikë, një më shumë se rivalët e tyre, që në këtë rast do të ishin me një ndeshje më pak të zhvilluar (Bologna – Inter).

Mirëpo, pavarësisht rëndësisë së madhe të këtij takimi, trajneri i Milan-it, Stefano Pioli, nuk do ta ketë aspak të lehtë, pasi që do të vuajë mungesën e shumë futbollistëve të tij.

Dyshja e mesfushës, Bennacer dhe Kessie mungojnë për shkak se janë të angazhuar me kombëtaret e tyre në Kupën e Afrikës.

Treshja e mbrojtjes, Kjaer, Tomori e Romagnoli janë të dëmtuar, ndërsa listës së mungesave iu shtua edhe mesfushori në super-formë, Sandro Tonali, i cili plotësoi numrin e kartonëve të verdhë.

Në anën tjetër, Spezia nuk ka ndonjë mungesë të rëndësishme, për të cilët pritet të startojë në sulm, futbollisti i kombëtares shqiptare, Rei Manaj.

Në ora 18:30 do të zhvillohet edhe takimi tjetër i kësaj mbrëmje, ku Napoli do të përballet në udhëtim te Bologna.

Napolitanët vijnë në këtë ndeshje pas asaj humbjes së thellë (2-6) në Kupën e Italisë, përballë Fiorentina-s, derisa edhe Bologna në ndeshjen e fundit pësoi humbje në Serie A ndaj Cagliari-t.

Një lajm shumë i mirë për Napolin, është që sulmuesi i tyre, Victor Osimhen, pritet të kthehet nga lëndimi, derisa Bologna do të luajë në këtë takim me vuajtjen e shumë mungesave.

Sa i përket renditjes tabelore, Napoli zë vendin e dytë me 43 pikë, shtatë më pak se Inter-i kryesues, ndërsa Bologna pozicionohet në vendin e 13-të me 27 pikë.

Ndërkaq, ndeshja përmbyllëse e javës së 22-të në Serie A, do të zhvillohet në ora 20:45, ku Fiorentina do të presë në shtëpi Genoa-n.

Vendasit vijnë në këtë ndeshje pas një forme relativisht të mirë, derisa mysafirët do të zhvillojnë këtë takim pa trajnerin Andry Shevchenko-n, të cilin e shkarkuan pak ditë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore