Serie A: E mërkura vjen me përballje interesante për zonën Champions

SHFLETO
albanianpost
12.05.2021 15:21
Loading Icons...

Java e 36 në Serie A italiane luhet këtë mesjavë me ndeshje mjaft interesante dhe njëkohësisht vendimtare për zonën Champions, për të cilën është duke u zhvilluar një garë e ashpër.

Kjo xhiro filloi mbrëmjen e së martës me fitoren fantastike të Napolit ndaj Udinese-s me rezultat 5:1, dhe do të vazhdojë këtë të mërkurë me ekipet tjera të cilat pretendojnë për pozitat që dërgojnë në kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm.

Kryendeshja e kësaj xhiro do të zhvillohet në qytetin e Milanos, aty ku kampioni Inter e pret Romën e cila po lufton për një vend që e dërgon në Ligën e Evropës në sezonin e ardhshëm.

Ndeshjet mes tyre kanë prodhuar gjithmonë spektakël dhe gola, andaj edhe në këtë ndeshje pritet e njëjta gjë.

Megjithatë vëmendja e të gjithë adhuruesve të futbollit Italian do të jetë në ndeshjet e nxehta për zonën e Ligës së Kampionëve.

Juventus e cila ka humbur ritmin në këto ndeshjet e fundit, do të ketë punë mjaft të vështirë, pasi që do të luajë në udhëtim te Sassuolo që po kalon momente fantastike.

Bardhezinjtë e Andrea Pirlos, vijnë në këtë ndeshje pas asaj humbjes 0:3 nga kuqezinjtë e Milanos, derisa në pesë ndeshjet e fundit kanë arritur të marrin dy fitore një barazim dhe një humbje tjetër.

Ndërsa skuadra e Sassuolos në pesë ndeshjet e fundit, kanë fituar katër prej tyre dhe kanë barazuar me Atalantën.

Juventus aktualisht pozicionohet në vendin e pestë në tabelë me 69 pikë, kurse Sassuolo pozicionohet e teta me 56 pikë.

Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë në Torino, aty ku skuadra e Torinos do të përballet me Milanon.

Kuqezinjtë vijnë në këtë ndeshje me një motiv të lartë, pas asaj fitores fantastike ndaj Juventusit dhe do kërkojnë vetëm tre pikët në këtë ndeshje, për të mbetur akoma në zonën Champions.

Trajneri Stefano Pioli do të udhëtojë në Torino pas sulmuesin kryesor, Zlatan Ibrahimovic, derisa përveç tij do të mundojnë edhe Saelemaekers e Tonali.

Gjithashtu edhe Torino po kalon momente të mira në ligë, të cilët janë këndellur në ndeshjet e fundit dhe si duket janë afër arritjes së objektives së vetme që kanë, mbijetesën në Serie A.

Milano aktualisht pozicionohet në vendin e katërt në tabelë me 72 pikë, derisa Torino zë vendin e 15-të me 35 pikë, katër pikë larg zonës së rënies nga liga.

Interesant është fakti që skuadra e Milanos nuk ka arritur një fitore në Torino që nga dhjetori i vitit 2012.

Atalanta e cila gjithashtu është në garë për zonën Champions, do të përballet me Beneventon e cila është duke luftuar me të gjitha forcat për të mbetur në ligë në sezonin e ardhshëm.

Skuadra e Gasperinit po kalon momente mjaft të mira në Serie A, të cilët në pesë ndeshjet e fundit kanë arritur tre fitore dhe dy barazime.

Ndërsa skuadra e trajnerit Filippo Inzagi në pesë ndeshjet e fundit ka arritur të marr vetëm një barazim, kundrejt katër humbjeve.

Atalanta pozicionohet e treta në tabelë me 72 pikë, po aq sa ka edhe Milano i vendit të katërt, ndërsa Benevento gjendet në vendin e 18-të, zonë kjo që nuk siguron qëndrimin në Serie A në sezonin e ardhshëm.

Ndeshjet tjera të së mërkurës në Serie A janë:

18:30 Cagliari – Fiorentina

20:45 Bologna – Genoa

20:45 Lazio – Parma

20:45 Sampdoria – Spezia