Sport

Seriali Xavi – Barcelona përfundon, trajneri shkarkohet nga detyra


Xavi

Xavi nuk do të jetë trajneri i Barcelona-s për sezonin e ardhshëm. Legjenda e klubit katalanas është shkarkuar zyrtarisht pasditen e kësaj të premteje.

Presidenti i Barcelona-s, ​​Joan Laporta, ka bërë një kthesë befasuese në drejtimin teknik të klubit duke njoftuar shkarkimin e Xavi Hernandez si trajner i ekipit të parë për sezonin 2024-25.

Ky vendim vjen vetëm një javë pasi Laporta e mbështeti publikisht Xavi-n, duke deklaruar se ai ishte alternativa më e mirë për të drejtuar pankinën e klubit katalanas.

Shkaku për këtë vendim të papritur ishte zbulimi i Xavi-t në një konferencë të fundit për shtyp, ku ai konfirmoi se Barcelona po përballej me kufizime të rënda buxhetore për nënshkrimet.

Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer bordit, sidomos duke pasur parasysh pritshmëritë dhe ambiciet e klubit.

Barcelona ka shprehur mirënjohjen e saj për Xavi-n për punën e tij si trajner, duke vlerësuar karrierën e tij të jashtëzakonshme si lojtar dhe kapiten skuadre.

“Presidenti i FC Barcelona, ​​Joan Laporta, ka njoftuar pasditen e sotme Xavi Hernandez se nuk do të vazhdojë të jetë trajner i ekipit të parë në sezonin 2024-25”, thuhet në njoftimin e klubit Blaugrana.

“Takimi u zhvillua në Joan Gamper Sports City dhe të pranishëm ishin zëvendëspresidenti sportiv, Rafa Yuste dhe drejtori sportiv Anderson Luis de Souza, Deco, si dhe ndihmësit e Xavi, Oscar Hernandez dhe Sergio Alegre”.

“FC Barcelona dëshiron të falënderojë Xavi-n për punën e tij si trajner, i cili i shton një karrierë të pashembullt si lojtar dhe kapiten skuadre dhe i uron atij gjithë fat në botë”.

“Xavi Hernandez do të drejtojë ndeshjen e tij të fundit si trajner i ekipit të parë këtë të dielë në Sevilje”.

“Në ditët në vijim, FC Barcelona do të raportojë për strukturën e re të ekipit të parë”, përfunon deklarata e klubit.

Xavi

Xavi e drejtoi Barcelona-n në total në 141 ndeshje, duke arritur 89 fitore, 23 barazime dhe 29 humbje. Ai fitoi një titull në La Liga dhe një Superkupë të Spanjës.

Barcelona fitoi La Liga-n sezonin e kaluar, por nuk ishte në gjendje të mbronte me sukses titullin në sezonin aktual.

Ata u eliminuan nga Champions League në çerekfinale nga Paris Saint-Germain, u mundën nga Real Madrid në finalen e Superkupës së Spanjës dhe humbën nga Athletic Bilbao në Copa del Rey.

Seriali Xavi – Barcelona

Situata e Xavi-t te Barcelona ishte e ngjashme me një seri televizive me kthesa të shumta.

Së pari, pas një serie të dobët rezultatesh dhe në veçanti një humbje të rëndë kundër Villarreal-it në La Liga (5-3), tekniku spanjoll njoftoi largimin e tij në fund të sezonit.

Njoftim i cili befasoi shtypin spanjoll, ndërsa mediat katalanase sqaronin rregullisht se presidenti Joan Laporta dhe disa anëtarë të bordit drejtues të klubit Blaugrana shpresonin ta bindin ish-mesfushorin të ndryshonte mendje.

Dhe pas një disfate ndaj Real Madrid-it (2-3), më pas një eliminimi ndaj Paris Saint-Germain, në çerekfinale të Champions League, Xavi Hernandez çuditërisht pranoi të qëndrojë në fund të prillit.

Pasi foli me presidentin Laporta, ai pranoi të vazhdojë me klubin e tij të preferuar deri në qershor 2025.

“Ky projekt nuk ka përfunduar ende. Unë, stafi im dhe i gjithë klubi, kemi forcën për të arritur gjëra të rëndësishme dhe të vazhdojmë ta realizojmë këtë projekt. Të gjithë e dinë lidhjen time me këtë klub. Ky projekt duhet të vazhdojë, ne duhet të vazhdojmë të punojmë fort, prandaj kam ndërruar mendje”, tha ai për mediat asokohe.

Por në fund, Xavi me të vërtetë u shkarkua nga posti i tij si trajner i Barcelona-s.

Hansi Flick, pasuesi i Xavi-t

Sipas mediave spanjolle, Barcelona dhe trajneri gjerman Hansi Flick kanë arritur një marrëveshje mes tyre.

Gjermani u tha “po” drejtuesve të Barçës dhe tashmë ka rënë dakord me ta për një kontratë dyvjeçare (1+1).

Flick dëshironte vetëm t’i bashkohej Barçës, madje ai filloi të mësonte spanjisht pak kohë më parë, përveçse refuzoi Chelsea-n. Edhe prania e Pini Zahavi-t në operacion, agjent i trajnerit dhe i afërt me Joan Laporta, i bëri gjërat më të lehta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore