Lajme

Sergiy Maslichenko emërohet drejtor i ri BERZH-it në Kosovë


Sergiy Maslichenko

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka emëruar, Sergiy Maslichenko, si Drejtor të saj në Kosovë.

I njëjti ka zëvendësuar, tashmë ish-udhëheqësin e BERZH-it në Kosovë, Neil Taylor, i cili e mbajti këtë pozitë për pesë vjet.

Maslichenko do të drejtojë operacionet e BERZH-it, i cili ka investuar rreth 600 milionë euro që nga fillimi i operacioneve të saj në Kosovë në vitin 2012.

Maslichenko ka punuar për BERZH-in në Ukrainë, në vitet 2007-2019 në fushën e efiçiencës së energjisë dhe ndryshimeve klimatike, duke menaxhuar reformën e politikave dhe projektet e investimeve.

Në dy vitet e tij të fundit në këtë departament, ai shërbeu si drejtor i bordit të Fondit të Gjelbër për Rritje.

Në periudhën 2019-2020, Maslichenko, ka shërbyer si Zëvendës Ministër i Energjisë dhe Mjedisit i Ukrainës, dhe më vonë ka themeluar dy platforma financimi për klimën.

Kthimi i Sergiy në BERZH dhe emërimi në Kosovë vijnë në kohën kur investimet e Bankës në Kosovë po fokusohen gjithnjë e më shumë në energjinë e gjelbër dhe dekarbonizimin e ekonomisë.

Vitin e kaluar, 80 përqind e investimeve vjetore të Bankës, që kapën vlerën 91 milionë euro, ishin të dedikuara për energji të gjelbër, efiçiencë të energjisë në ndërtesa, linja të kreditit për NVM për investime në efiçiencën e energjisë dhe projekte të tjera të tranzicionit me karbon të ulët.

Maslichenko, pas emërimit në këtë pozitë ndër të tjera ka thënë se ndihet i nderuar të udhëheqë zyrën e BERZH-it në Kosovë, një vend, sipas tij, me potencial të lartë.

“Mezi pres të punoj së bashku me Qeverinë e Kosovës, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit, ndërtimin e një ekonomie të gjelbër dhe reziliente dhe forcimin e integrimit rajonal dhe investimeve të huaja”, ka thënë ai.

Strategjia aktuale e BERZH-it për Kosovën, e miratuar në janar 2022, fokusohet në zhvillimin e sektorit privat, kalimin në ekonominë e gjelbër dhe forcimin e integrimit dhe lidhshmërisë rajonale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore