Lajme

Serbia s’është vend demokratik, thuhet në raportin e Freedom House


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Sipas raportit të organizatës Freedom House të titulluar “Nations in Tranzit” për të katërtin vit radhazi, Serbia nuk klasifikohet si vend demokratik.

Raporti thekson se edhe pse në pamje të parë pati një përmirësim të pluralizmit politik gjatë vitit 2022 për shkak të pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje pas një bojkoti shumëvjeçar, procesi zgjedhor u përcoll nga shumë parregullsi.

“Zgjedhjet e përsëritura në një qendër votimi janë mbajtur pesë herë, me përcaktimin e rezultateve të panjohura deri më 5 korrik. Kjo kontribuoi ndjeshëm në zvarritjen e formimit të parlamentit dhe qeverisë”, thuhet në raport.

Në raportin për Serbinë, po ashtu përmendet edhe zhvillimi negativ i lirisë së mediave.

“Sulmet ndaj gazetarëve në Serbi janë ende shqetësuese. Sipas të dhënave të Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (NUNS), gjatë vitit janë regjistruar 132 raste të sulmeve ndaj gazetarëve”.

Raporti gjithashtu tregon për përdorimin e vazhdueshëm të padive SLAPP kundër mediave, gjë që “mbetet një shqetësim”.

“Vetëm portali hulumtues KRIK ka pranuar 11 padi SLAPP vitin e kaluar, por edhe me kërkesë të Reporterëve pa Kufij drejtuar shtetit për zbatimin e masave parandaluese për mbrojtjen e mediave”.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Freedom House kujton se gjykimi i klanit Veljko Belivuk, i akuzuar për rrëmbime, vrasje dhe përdhunime, filloi në tetor 2022.

“Anëtarët e akuzuar të bandës folën për lidhjet e tyre me partitë në pushtet gjatë gjykimit”, thuhet tutje në raport.

Freedom House gjithashtu i referohet gjetjeve të raportit të Komisionit Evropian, se ka pasur “një rritje të lehtë të vendimeve të shkallës së parë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, por se ka përsëri një “mungesë të hetimeve për raportet e sinjalizuesve, siç është rasti i fabrikës së armëve Krusik, një nga skandalet më të mëdha korruptive të viteve të fundit”.

Në pjesën për luftën kundër korrupsionit, Freedom House thekson se ka pasur “vonesa të konsiderueshme” në reformat në lidhje me këtë fushë, “ndërsa rastet e mëdha të korrupsionit tregojnë për lidhje mes zyrtarëve të qeverisë dhe krimit të organizuar”.

Freedom House thekson se fushatat kundër organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të tyre mbeten “të zakonshme”.

“Zyrtarët e Partisë Progresive Serbe kanë vënë në dyshim financimin e OShC-ve në disa raste. Deputeti Gjorgje Todoroviç ka tentuar të diskreditojë një deputete të opozitës për shkak se ka qenë kryetare e bordit të Iniciativës A11, organizatë që merret me çështje sociale, duke deklaruar se është financuar nga donatorë perëndimorë”.

Sipas raportit, çështja e sanksioneve kundër Rusisë dominon në diskursin politik.

Në pjesën e raportit për gjendjen e institucioneve demokratike, Freedom House thekson se gjatë vitit të kaluar diskursi politik në masë të madhe ka qenë i dominuar nga pushtimi rus në Ukrainë, si dhe kërkon që Serbia të respektojë sanksionet evropiane kundër Rusisë.

“Qeveria nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022, por megjithatë votoi me vendet anëtare të BE-së në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të dënuar pushtimin rus dhe për të pezulluar pjesëmarrjen ruse në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së”.

Po ashtu sipas raportit, lufta në Ukrainë, së bashku me kërkesat e BE-së në lidhje me sanksionet, çuan në protesta të mëdha të krahut të djathtë në mbështetje të Rusisë, si dhe kërcënime ndaj gazetarëve që raportonin për luftën, ndërsa sondazhet treguan për herë të parë se më shumë se 50 për qind e qytetarëve serbë janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore