Serbia pranon “një shuplak të ashpër” nga BE-ja: Korrupsioni është ende problem

SHFLETO

Aleksandër Vuçiç

 

Dreni Himbeqa
11.10.2022 9:54
Loading Icons...

Shkalla e pajtueshmërisë së Serbisë me politikën e jashtme të përbashkët evropiane është “ulur ndjeshëm” dhe nga 64 për qind në vitin 2020 tani ka rënë në 45 për qind, sipas raportit vjetor të Komisionit Evropian për Serbinë.

Në draft-raportin që do të publikohet nesër dhe në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur akses, theksohet se Serbia nuk respektoi sanksionet ndaj Rusisë, të cilat Bashkimi Evropian (BE) i vuri ndaj Moskës si përgjigje kundër agresionit në Ukrainë.

“Seria e veprimeve dhe deklaratave të Serbisë bie ndesh me qëndrimin e politikës së jashtme të BE-së. Serbia pritet të përmbushë detyrimet e saj si prioritet dhe në mënyrë progresive të përafrohet me masat kufizuese të BE-së në përputhje me kornizën negociuese të Serbisë,” thuhet në draft raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas gjetjeve të Komisionit Evropian, theksohet se Serbia ka bërë vetëm “progres të kufizuar”. Lidhur me këtë, përmendet se numri i hetimeve të reja dhe aktgjykimeve përfundimtare është rritur në vitin 2021 krahasuar me një vit më parë, por ka rënë numri i aktakuzave të shkallës së parë.

Komisioni Evropian kërkon që Serbia të forcojë parandalimin dhe shtypjen e korrupsionit dhe të rrisë konfiskimin përfundimtar të aseteve në rastet e profilit të lartë.

Serbisë ka marrë një vlerësim të keq edhe në luftën kundër krimit të organizuar, ku thuhet se është bërë vetëm “progres i kufizuar”. Përmendet se në periudhën e kaluar është rritur numri i hetimeve të reja dhe i aktgjykimeve përfundimtare, por është zvogëluar numri i aktakuzave dhe aktgjykimeve të shkallës së parë.

Serbia dhe Bashkimi Evropian

Gjithashtu thuhet se numri i sekuestrimeve dhe konfiskimeve përfundimtare është i kufizuar. Është pranuar se niveli i mirëkuptimit dhe qasjes ndaj konfiskimit është përmirësuar, gjë që, thotë raporti, duhet të çojë në rezultate më të mira në të ardhmen.

Sa i përket bashkëpunimit rajonal, raporti për Serbinë vlerëson se vendi “mbetet i përkushtuar për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Megjithatë, raporti nënvizon faktin se marrëdhëniet me Kroacinë janë “gjithnjë e më të tensionura me konflikte të herëpashershme politike”.

Marrëdhëniet e Serbisë me Malin e Zi vlerësohen si “sfiduese”, por theksohet se të dyja palët treguan një gatishmëri më të madhe për rivendosjen e marrëdhënieve dhe përpjekje për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Komisioni Evropian në raportin vjetor të progresit për Serbinë ka ndarë një pjesë të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi, ku vlerësohet se nuk ka progres konkret në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme.

Komisioni ka ftuar pa vonesa të mëtejshme të Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të çojnë përpara negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin. Arritja e një marrëveshjeje të tillë është “urgjente dhe vendimtare”, thuhet në raport, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre evropiane.