Lajme

“Serbia po kërkon një modeli etno-territorial për Asociacionin”, intervistë e Kurt Bassuener për Albanian Post


Kurt Bassuener

Për Kurt Bassuener, bashkëthemeluesin e think-tankut me seli në Berlin “Democratization Policy Council”, procesi i dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ndër vite ka treguar se Serbia është në kërkim të një modeli etno-territorial për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pra një replikë të modelit të Republikës Srpska si në Bosnje e Hercegovinë.

Si një njohës i mirë i dinamikave brenda Bosnje e Hercegovinës, Bassuener thotë në një intervistë për Albanian Post se natyra etno-territoriale e Republikës Srpska, përveç që ka shkaktuar një lloj zilie në mesin e nacionalistëve kroatë në Bosnje, momentalisht është pengesë për qeverisjen dhe funksionalitetin e saj në mënyrë të përgjegjshme.

“Si banor i Bosnje e Hercegovinës, mund t’ju siguroj se natyra etnoterritoriale e Republikës Srpska – dhe zilia që ajo ka shkaktuar mes nacionalistëve kroatë të Hercegovinës dhe mbështetësve të tyre në Zagreb – është një pengesë për qeverisjen dhe funksionalitetin e përgjegjshëm. Duket se Beogradi dëshiron pikërisht një model etno-territorial – por edhe një fuqi që të arrijë në jug të Ibrit”, thotë Bassuener për AP.

Sipas tij është e qartë se Beogradi zyrtar nuk e ka hallin te drejtat e serbëve në Kosovë, por që përmes një mekanizmi të tillë, siç është Asociacioni, të përfitojë një levë kontrolli mbi Kosovën.

Duke komentuar Marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Bassuener nënvizon faktin se penguesi më i madh i implementimit të kësaj ujdie është pikërisht Serbia e jo Kosova, pasi sipas tij, është evidente që presidenti, Aleksandër Vuçiç, nuk ka ndërmend t’i përmbahet shkronjës, e lëre më frymës, së Marrëveshjes.

“Qëllimi i tij i vetëm evident është arritja e Asociacionit, në një model ekzekutiv që Prishtina e ka bërë të qartë se është jokushtetues”.

Prandaj Bassuener thotë se në këtë pikë komuniteti ndërkombëtar në veçanti ndërmjetësit e procesit të dialogut, duhet të ushtrojnë trysni më të madhe mbi Beogradin, gjë që sipas tij nuk po ndodhë.

“Nëse ndërmjetësit dhe mbështetësit e tyre (SHBA-të në veçanti) duan që palët t’i përmbahen Marrëveshjes së Ohrit, të cilën Vuçiç e hodhi poshtë në parlamentin serb dhe më pas e shkeli në Strasburg, atëherë ata do t’i bënin presion të dyja palëve që t’i përmbahen asaj me vrull të barabartë. Fatkeqësisht, ky nuk ka qenë rasti që në fillim”.

Intervista e plotë e Kurt Bassuener për Albanian Post

Albanian Post: Kosova dhe Serbia fillimisht më 27 shkurt e më pastaj me 18 mars u dakorduan mbi Marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve derivat i propozimit franko-gjerman. Serbia ka filluar ta shkel Marrëveshjen duke votuar kundër Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa Kosova po nguron të implementojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, a është kjo një marrëveshje e duhur për të normalizuar raportet ndërmjet dy vendeve dhe çka sipas jush duhet të bëjnë ndërmjetësitë e këtij procesi për të bindur palët që të zbatojnë Marrëveshjen në plotni?

Kurt Bassuener: Nëse ndërmjetësit dhe mbështetësit e tyre (SHBA-të në veçanti) duan që palët t’i përmbahen Marrëveshjes së Ohrit, të cilën Vuçiç e hodhi poshtë në parlamentin serb dhe më pas e shkeli në Strasburg, atëherë ata do t’i bënin presion të dyja palëve që t’i përmbahen asaj me vrull të barabartë. Fatkeqësisht, ky nuk ka qenë rasti që në fillim. Një gjë e tillë ishte qartësisht e dukshme edhe në seancën dëgjimore të Komisionit për Politikë të Jashtme në Senatin Amerikan ku folën Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve Derek Chollet dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar. Dhe kjo mbetet e ekspozuar edhe sot në reagimet ndaj ngjarjeve në Veri të Kosovës në lidhje me vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në Komuna.

Albanian Post: Për palën kosovare arritja më e madhe e kësaj Marrëveshjeje janë katër nenet e para përmes së cilave Serbia e njeh Kosovën në mënyrë de facto. Sipas jush a parasheh Marrëveshja në fjalë njohjen de facto të Kosovës nga Serbia dhe sa ndihmon kjo në përmirësimin e raporteve në mes të dy vendeve?

Kurt Bassuener: Nëse do të kishte vullnet të mirë nga të dyja palët, Marrëveshja nënkupton lëvizje përpara drejt njohjes. Por përsëri, nëse do të kishte vullnet real në Beograd për të pranuar pavarësinë e Kosovës, nuk do të kishte nevojë për një hap të ndërmjetëm “normalizimi” ndërmjet situatës aktuale dhe njohjes së plotë. Megjithatë, është evidente se presidenti Vuçiç nuk ka ndërmend t’i përmbahet shkronjës, e lëre më frymës, të Marrëveshjes. Qëllimi i tij i vetëm evident është arritja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në një model ekzekutiv që Prishtina e ka bërë të qartë se është jokushtetues.

Albanian Post: Pika më e nxehtë e kësaj Marrëveshjeje është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, Ekipi Menaxhues i përbërë nga katër serbë të Kosovës propozuan draft-statutin e Asociacionit, ky draft statut ishte i papranueshëm për Kosovën prandaj kryeministri, Albin Kurti propozoi një draft-Vizion i cili replikon modelin kroat të Asociacionit për serbët në Kroaci, megjithatë për ndërmjetësit ky draft-Vizion nuk mjafton prandaj sipas tyre Kosova duhet ta propozoj një draft-statut të sajën, si pritni që ky proces të përfundojë, a do të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe?

Kurt Bassuener: Unë dyshoj se arsyeja që ndërmjetësuesit e kanë kundërshtuar propozimin e kryeministrit Kurti është se ata e dinë se Vuçiç do ta refuzojë atë. Megjithatë, nëse ata duan që Kosova të hartojë një statut – dhe konturet e propozuara të pranueshme për Prishtinën refuzohen në mënyrë të paqartë – është e vështirë të dihet se në çfarë thelbi duhet të lundrojnë hartuesit. Është e vështirë për mua të shoh që ky proces të përfundojë me marrëveshje dhe progres të vërtetë, përderisa qëndrimi i BE-së dhe i Perëndimit është vazhdimi i vendosjes së përgjegjësi mbi Kosovën. Marrëveshja (neni 7) dhe Aneksi i Zbatimit kërkojnë që Asociacioni të formohet përmes negociatave – por duket se nuk ka negociata të drejtpërdrejta në lidhje me konturet e Asociacionit.

Albanian Post: Në Kosovë komuniteti ndërkombëtar kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ju keni jetuar në Bosnje dhe Hercegovinë. Atje, me Marrëveshjen e Dejtonit, komuniteti ndërkombëtar mundësoi një organizim të veçantë për serbët e Bosnjës me Republika Srpska. Siç u pa më vonë, kjo zgjidhje e veçantë nuk rezultoi shumë funksionale. A po bëhet gabimi i njëjtë duke kërkuar edhe në Kosovë një Asociacion?

Kurt Bassuener: Si banor i Bosnje e Hercegovinës, mund t’ju siguroj se natyra etno-territoriale e Republikës Srpska – dhe zilia që ajo ka shkaktuar mes nacionalistëve kroatë të Hercegovinës dhe mbështetësve të tyre në Zagreb – është një pengesë për qeverisjen dhe funksionalitetin e përgjegjshëm. Duket se Beogradi dëshiron pikërisht një model etno-territorial – por edhe një fuqi që të arrijë në jug të Ibrit. Do të kishte qenë e dobishme që të kishte udhëzime nga BE-ja nëse kjo ishte e pranueshme apo jo për ta. Paqartësia mund të ketë bërë të mundur një marrëveshje që ekziston vetëm si titull, por jo një marrëveshje aktuale, të zbatueshme.

Albanian Post: Evropa në anën tjetër njeh shumë shembuj të autonomive. Nuk ka pothuajse shtet në Evropë që nuk e ka ndonjë zonë të rregulluar me status të veçantë. Përse në Ballkan duket më e vështirë kjo?

Kurt Bassuener: Ishte e vështirë edhe gjetkë. Pjesërisht, vështirësia ka qenë për shkak të nivelit të dhunës që lidhet me luftërat e viteve 1990. Por, kjo rrjedh edhe nga mungesa e vullnetit dhe unitetit perëndimor për t’u përballur me çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi për më shumë se 20 vjet. Plani i Ahtisaarit është hartuar për të adresuar çështjet e të drejtave të grupeve në Kosovë – dhe është pasqyruar në kushtetutë dhe ligjet ndihmëse. Përfundimi është se, për Beogradin, çështja nuk është te të drejtat e serbëve në Kosovë në vetvete, por mbajtja e një leve kontrolli në Kosovë. Siç i tha një ish-figurë politike serbe (“liberale”) një grupi më shumë se një dekadë më parë, shtetësia e BeH dhe Malit të Zi “është një çështje e hapur”. Për Kosovën as që ishte menduar. Kjo është diçka që vetëm Perëndimi mund ta detyrojë. Fatkeqësisht, llogaritja duket se është e bazuar në “lëvizjen e Serbisë” në shtrirjen e saj gjeopolitike larg Rusisë dhe Kinës. Vuçiç e ka përdorur këtë në strategjinë e tij të gjatë të arbitrazhit gjeopolitik.

Albanian Post: Nganjëherë, duke parë zvarritjen e proceseve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ngjan sikur politikanët janë vetë të interesuar që të mos shkojnë drejt zgjidhjeve, por u konvenon status quoja për qëllime populiste – a do pajtoheshit me këtë konstatim?

Kurt Bassuener: Sigurisht që mendoj se ky është rasti në Beograd – sepse destinacioni i dukshëm i “dialogut” ishte gjithmonë njohja e plotë. Në rastin e Prishtinës, unë e shoh atë si më të kushtëzuar dhe më pak absolute – pyetja është natyra e kompromisit, marrëdhënia që rezulton dhe pozicioni i Kosovës më pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore