Rajoni

Serbia njëjtë si Rusia po manipulon Perëndimin duke u portretizuar si partnere, thotë ekspertja amerikane


Ilustrim

Ivana Stradner, bashkëpunëtore kërkimore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington, duke komentuar vizitën e këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet në Ambasadën e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizitë të cilën me plot pompozitet e kumtoi ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriç, ka theksuar se Serbia po e “godet” SHBA-të nga pika e saj e dobët – bashkëpunimi ekonomik.

Bashkëpunimin ekonomik për të cilën SHBA-ja rezonon gjithmonë, sipas Stradner, është pikërisht mënyra se si presidenti i Rusisë, Vladimir Putini, po manipulonte Perëndimin duke portretizuar Rusinë si një partner perëndimor.

“Pikërisht për këtë Vuçiç-i po shtyn përpara projektin e Ballkanit të Hapur. Ai e di se amerikanët i duan ‘marrëveshjet ekonomike’ pasi burokratët në Uashington mund të raportojnë gjithashtu diçka të prekshme”, thekson ajo.

Ballkani, sipas ekspertes amerikane, nuk është një çështje ekonomike, por çështje sigurie.

“Sidoqoftë, më duhet të pranoj se inteligjenca serbe dhe ruse janë të zgjuara pasi krijuan grupe dhe opozitë të rreme pro perëndimore që nga viti 2014 – posaçërisht për të synuar Perëndimin. Është fjalë për fjalë ‘playbook-u’ i Putinit që ai përdori 20 vjet më parë”.

Ndryshe Gjuriç në një postim në platformën e tij social “X”, duke njoftuar takimin me diplomatin amerikan, theksoi se Serbia është një partner i besueshëm i SHBA-ve në një numër çështjesh strategjike.

Gjuriç gjithashtu potencoi se partneritet i Serbisë me SHBA është konkrete dhe dëshmohet me vepra.

“Serbia është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një numër çështjesh strategjike – jo vetëm në fjalë, por edhe në vepra. Ne duam që bashkëpunimi të jetë edhe më i mirë në të ardhmen, dhe jemi të etur që të punojmë në këtë – këto ishin mesazhet nga pala serbe që pata kënaqësinë që t’ia përçoj këshilltarit Derek Chollet, i cili i shoqëruar nga kolegë të tij, vizitoi Ambasadën Serbe afër Shtëpisë së Bardhë”, shkroi Gjuriç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore