Serbia kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, beson se kështu “do të stabilizohet” gjendja në terren
Ilustrim
Dreni Himbeqa
14.10.2023 10:47Dy ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i udhëzoi serbët që të kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, e një ditë pasi Lista Serbe u bëri thirrje autoriteteve kompetente kosovare që sa më parë të shpallin zgjedhjet në Veri të Kosovës, me mesazhin se janë të gatshëm të marrin pjesë në to, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, këtë të shtune ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare t’i dëgjojnë thirrjet e serbëve për pjesëmarrje në zgjedhjet në Veri.
Ndonëse për kryediplomatin serb, zgjedhjet në Veri të Kosovës nuk do t’i zgjidhnin të gjitha problemet, një proces i tillë, sipas tij, “mund ta stabilizojë” situatën në katër komunat veriore.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë një zgjidhje që serbët të jetojnë normalisht dhe kjo duhet të jetë pjesë e dialogut. Është shumë e rëndësishme që të vazhdojë dialogu, por jo aty ku është arritur me dhunë. Duhet të fillojmë nga formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Daçiç, për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.
Për nevojën e zgjedhjeve në katër komunat veriore ka folur edhe i ashtuquajturi drejtor i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Ai, siç rëndom bën, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për formën të cilën e ka zgjedhur për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Veri.
“Udhëzimi administrativ nuk është një gjë tjetër veçse mënyra se si Kurti dëshirojë t’i mbajë me çdo kusht kryetarët shqiptarë në postet e tyre. Kurti qëllimisht e ka ndërlikuar procedurën e zgjedhjeve, sepse po kërkon një mënyrë për t’i shmangur ato”, ka deklaruar Petkoviç, të shtunën.
Ndryshe Lista Serbe, me pranimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ka hequr dorë nga kërkesat që serbët e Veriut, nën udhëheqjen e saj, i bënë më 5 nëntor të vitit të kaluar, kur u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës.
Më 5 nëntor ata kërkuan tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu i Kosovës, si dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Qeveria e Kosovës beson se për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat veriore është e nevojshme që fillimisht qytetarët në katër komunat veriore të nisin një peticion për shkarkimin e kryetarëve.
E që kjo të ndodhë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka hartuar një Udhëzim Administrativ duke krijuar shtratin ligjor për përdorimin e të drejtës së peticionit.
Çfarë shkruan në Udhëzimin Administrativ?
Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.
Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.
Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.
Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.
Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.
Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.
Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.
Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.
Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.
Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.
Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.
Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.
Largimi i kryetarëve në katër komunat veriore përmes një peticioni u pa me skepticizëm si nga aktorët vendor edhe nga ndërkombëtarët të cilët kërkojnë që kryetarët të largohen vetiu dhe vullnetarisht.