Kosova

Serbia kërkoi zyrtarisht nga Kosova bashkëpunim juridik që ta ndjek penalisht Radojiçiç-in, thotë Hovenier


Ilustrim: Milan Radojiçiç në Banjë, 24 shtator 2023

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka potencuar, se në bazë të informacioneve që ai posedon, zyrtarët serbë kanë parashtruar kërkesë përmes kanaleve zyrtare autoriteteve kosovare për ndihmë juridike në rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit, përgjegjësin e të cilit e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç.

Siç ka shpjeguar Hovenier në një intervistë për Radio Evropën e Lirë kjo kërkesë përfshinë bashkëpunimin reciprok juridik kur në pyetje janë provat që i posedon Kosova në atë mënyrë që Serbia ta ndjek penalisht kryeterroristin Radojiçiç.

“Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare”, ka thënë ai.

Hovenier është shprehur optimist që Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë në këtë drejtim.

“Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”.

Hovenier ndër të tjera ka përsëritur qëndrimin e SHBA-ve për sa i përket sulmit terrorist të Banjës,

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të qarta lidhur me pritjet tona që të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në atë krim të tmerrshëm të japin llogari. Këtë e kemi thënë publikisht”.

Sulmi terrorist në Banjë

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore