Lajme

Serbia iu jep tender Veselinoviç-it e Radojiçiç-it, të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviç-it


Nga e djathta: Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojiçiç

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojiçiç, dy persona që dyshohen për vepra të ndryshme në Kosovë, përfshirë vrasjen e  politikanit serb, Oliver Ivanoviç dhe gjithashtu për rastin “Brezovica”, ku u bënë ndërtime të shumta pa leje, shteti serb iu ka dhënë tender për riparim rrugësh.

Gazeta serbe “Danas” shkruan se tenderin zyrtarisht e ka fituar kompania “Novi Pazar put”, e cila është pjesë e kompanisë mëmë “Inkop” me pronarë famëkeqtë Veselinoviç dhe Radojiçiç.

Tenderi, siç shkruan Danas, ishte mbi 35 milionë dinarë serbë, që është përafërsisht një shumë prej 300 mijë eurosh.

Kontrata parasheh “arnimin” e mbi 9 mijë metrave katrorë rrugë me gropa, që përfshin prerjen dhe prishjen e rrugës ekzistuese, të dëmtuar, mbushjen e gropave, lubrifikimin e emulsionit dhe vendosjen e asfaltit.

Këta persona, që shteti serb iu jep tenderë, janë të futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Ndërsa Radojiçiç me 3 shkurt të këtij viti pati edhe një episod me Policinë e Kosovës.

Ai arriti t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak, pasi ishte vendosur në listën e të kërkuarve para pak ditësh për rastin “Brezovica”, ka thënë për Albanian Post Prokuroi i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku.

Bëhet fjalë për rastin e njëjtë të ndërtimeve pa leje ku po hetohet edhe kompania ndërtimore e publicistit Veton Surroi.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore