Shqipëria

Serbia i dërgon notë proteste Shqipërisë për djegien e flamurit serb në Tiranë


Edi Rama dhe Aleksander Vuçiç

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, ka njoftuar se i ka dërguar notë proteste ambasadës së Shqipërisë në Beograd, në të cilën “dënon ashpër aktin e papranueshëm” të djegies së flamurit serb, në sheshin qendror “Skënderbej”, në Tiranë, pas ndeshjes me Ishujt Faroe, në kudër të kualifikimeve për kampionatin evropian “Euro2024”.

“Ne besojmë se ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, të cilat në vitet e fundit kanë arritur pikën më të lartë gjatë historisë së tyre të përbashkët shekullore”, kanë thënë nga MPJ-ja serbe.

Në këtë notë proteste, thuhet se presin që institucionet kompetente të Shqipërisë të bëjnë gjithçka që munden “për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtij akti të shëmtuar”.

Në këtë notë shprehet pritshmëria që Shqipëria të informojë institucionet e Serbisë për këtë nëpërmjet kanaleve diplomatike brenda një periudhe të arsyeshme kohore.

Pas përfundimit të ndeshjes në mes të Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, që përfundoi 0:0, një grup i tifozëve shqiptarë kanë djegur flamurin serb në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore