Lajme

“Serbia herët apo vonë duhet ta njohë Kosovën”


Adis Ahmetoviç

Deputeti i Bundestagut nga radhët e Partisë Social Demokrate dhe njëherit raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun gjerman, Adis Ahmetoviç, mendon se nëse Serbia dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, herët apo vonë duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Kancelari Scholz tha, dhe unë thjeshtë dua ta citojë fjalët e tij, ‘Nëse Serbia dëshiron të hyjë në BE, duhet të punojnë në përmbushjen e kritereve, duhet t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën’”, ka thënë Ahmetoviç, për mediumin gjerman Deutsche Welle.

Ahmetoviç, duke komentuar samitin e fundit ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ka konsideruar se qasja e unionit ndaj Gadishullit, ka qenë i gabuar.

“Unë kërkojë në mënyrë specifike statusin e kandidatit për Bosnje e Hercegovinën, liberalizimin e vizave për Kosovën, fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë si dhe përshpejtimin e procesit për Malin e Zi”, ka shtuar ai.

Për deputetin gjerman, Serbia nuk mund të jetë anëtare e BE-së, nëse ajo qartë nuk pozicionohet në anën e demokracisë, në raport me ngjarjet në Ukrainë.

“Nëse Serbia, nuk do të ndërmerr një veprim në këtë drejtim, atëherë BE-ja do të ketë vështirë të eci përpara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore