Lajme

“Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës – s’mund të ketë ‘Ballkan të Hapur'”


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Në këtë takim mes Metës dhe Kurtit është diskutuar lidhur me dialogun Kosovë- Serbi.

Kryeministri Kurti deklaroi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit.

“Lidhur me dialogun, kryeministri theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Ndërsa, përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës.

“Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Shqiperisë Ilir Meta.

Por, kërkoi që Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ato në të cilat Kosova nuk është anëtare.

Temë diskutimi ishte edhe menaxhimi i pandemisë COVID-19.

“Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti tha se gjatë muajit nëntor ka pasur 6 raste të vdekjes së të prekurve me COVID 19”, bëri të ditur zyra e kryeministrit Kurti.

Po ashtu, njoftoi edhe për procesin e vaksinimit dhe dozat e administrimit.

“Deri tani janë administruar 1 milionë e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë mbi 64 për qind”.

Për buxhetin ekonomik, kryeministri theksoi se sipas Bankës Qendrore të Kosovës do të ketë rritje.

“Kryeministri ritheksoi se sipas parashikimit të Bankës Qendrore të Kosovës do të kemi rritje ekonomike prej 9.9 për qind për vitin 2021, ndërsa ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, remitancat e mërgatës pritet të arrijnë shifrën prej 1 miliard euro”.

Presidenti i Shqipërisë e vlerësoi pozitive transparencën në qeverisje dhe shtoi se duhet më shumë bashkëpunim me biznese, që edhe ata të ndjehen pjesë e qeverisjes.

Duke folur për strehimin e qytetarëve afganë, Kurti tha se kemi pranuar 1.341 refugjatë, por aktualisht në Kosovë janë 650 afganë, sepse 691 tashmë janë larguar për në vende të tjera.

U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe iniciativat e reja.

Edhe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me homologun e saj nga Shqipëria, Ilir Meta, ka thënë se është kundër çfarëdo iniciative e cila përpiqet ta trajtojë në mënyrë jo të barabartë Kosovën, duke iu referuar iniciativës rajonale “Open Balkan”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore