Kosova

Serbia e gatshme për një “marrëveshje kompromisi” me Kosovën, thotë Vuçeviç


Milosh Vuçeviç

Kryeministri i Sebrisë, Millosh Vuçeviç, ka potencuar se Beogradi zyrtar është i gatshëm për një “marrëveshje kompromisi” me Kosovën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje dhe kompromise, që nënkuptojnë se asnjëra palë të jetë fituese absolute apo humbëse absolute, por që Serbia dhe shqiptarët duhet të jetë të kënaqur më mënyrë të barabartë, apo thënë më mirë të pakënaqur në mënyrë të barabartë”, ka thënë Vuçeviç në një intervistë për agjencinë e lajmeve franceze, AFP.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mërkurën e 26 qershorit do të takohen për herë të 10-të në Bruksel.

Takimi në kryeqendrën evropiane pritet të nis me fillim në orën 15:00.

Kurti e Vuçiç fillimisht – siç rëndom ndodh – do zhvillojnë takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut për të vazhduar më pastaj me një takim trelateral.

Ndonëse detaje të hollësishme për agjendën e takimit nuk ka, ajo çfarë është potencuar në përgjithësi është se liderët shtetëror do të bisedojnë për Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, e dakordësuar mes palëve më 27 shkurt e 18 mars të vitit të kaluar.

Borrell, në një konferencë për media, të hënë, tha se po bën përpjekje të vazhdueshme për të çuar përpara procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në vigjilje të takimit kryediplomati spanjoll, vlerësoi se ndonëse Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, po ngurrojnë që të njëjtën ta zbatojnë në praktikë për arsye të ndryshme.

“Për këtë arsye e shoh si të rëndësishme ta nis një cikël të ri të nivelit të lartë të dialogut për të parë se ku po qëndrojmë. Nuk dua të dorëzohem para se të mbaroj mandatin tim”, tha ai në një konferencë për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore