Serbia drejt zgjedhjeve të reja

Ilustrim

Dini Fetahu
06.09.2023 10:16
Loading Icons...

Pas protestave të vazhdueshme të opozitës serbe, pushteti në Serbi ka paralajmëruar se shumë shpejt atje mund të mbahen zgjedhjet e reja.

Kështu të paktën ka thënë Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç – e cila deklaroi se zgjedhjet mund të vijnë “relativisht shpejt”, pasi që ajo vlerëson se është më mirë që ato të vijnë “më herët se vonë”.

Në një intervistë për televizionin e afërt me pushtetin në Serbi “TvPrava”, e para e ekzekutivit serb theksoi se Partia Progresive Serbe (SNS) – anëtare e së cilës është – “gjithmonë është pro-zgjedhjeve”.

“Ne (SNS) nuk ikim kurrë nga zgjedhjet, mendojmë se është gjithmonë mirë të kontrollohet vullneti elektoral dhe të shihet se çfarë duan qytetarët”, potencoi Brnabiç.

Ajo deklaroi se zgjedhjet është më mirë që të mbahen shpejt, por nuk specifikoi afatin kohor se kur mund të ndodhin.

Ana Brnabiç

E para e ekzekutivit serb beson se zgjedhjet duhet të mbahen “sepse Serbia nuk ka kohë për të humbur dhe ka plane ambicioze” dhe sepse “Serbia duhet të vazhdojë të ecë përpara”.

Zgjedhjet e reja në Serbi po vijnë si rezultat i protestave që opozita atje është duke i organizuar tash e disa muaj, dhe kjo kulmoi në seancën parlamentare të 5 shtatorit.

Kjo seancë filloi me thirrjet “hajdutë” dhe “jashtë”, me fishkëllima dhe zhurmë nga deputetët e opozitës drejtuar qeverisë serbe.

Opozita serbe, e cila është duke organizuar protesta me sloganin “Serbia kundër dhunës” – pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në Beograd në maj, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona – njoftoi se pas pyetjeve parlamentare në seancë, “po bllokon punën e Kuvendit” sepse qeveria “ka katër muaj që hesht për kërkesat e protestuesve”.

Në seancën ku mori pjesë edhe kryeministrja Ana Brnabiç, deputetët e opozitës ngritën pankarta dhe filluan të bërtisnin në momentet kur po flisnin përfaqësues të pushtetit, çka bëri që sigurimi parlamentar ta rrethoi zonën ku ishin ulur përfaqësuesit e ekzekutivit serb.

Opozita serbe po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhje në Beograd.

Deputeti opozitar serb, Radomir Lazoviç, në një fjalim para gazetarëve në sallën e parlamentit tha se “kërkojmë urgjentisht shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe të Beogradit deri në fund të këtij viti në mënyrë që opozita, si hapi i parë i saj pas ndryshimit të regjimit progresiv, të përmbushë kërkesat e qytetarëve, përfaqësuesve të opozitës të shpallura më 5 shtator para seancës”.

“Kërkojmë përgjigje të menjëhershme nga presidenti i shtetit, Aleksandër Vuçiç, dhe organizatorët e protestës do ta bllokojnë këtë seancë të Kuvendit derisa të marrim përgjigje për shpalljen e zgjedhjeve”, shtoi.

Radomir Lazoviç

Ai theksoi se “qeveria në çdo moment mund të zgjedhë një rrugë tjetër, që është përmbushja e kërkesave të protestës”.

Kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliç, është përgjigjur se “me kënaqësi e pranon dëshirën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje” dhe se për këtë do të njoftojë institucionet kompetente.

“Për këtë do ta informoj Qeverinë dhe Presidentin e vendit, do të kërkoj që të marrim përgjigje në kohën më të shkurtër të mundshme, besoj se mundemi në javët e ardhshme, në 30 ditët e ardhshme”, deklaroi Orliç.

Në rast të zgjedhjeve të reja edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi do të paraqesin kërkesat e tyre.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, duke iu referuar tensioneve që ndodhën të martën në kuvendin serb, theksoi se kjo krizë po e dërgon Serbinë në zgjedhje të reja, dhe se në këtë situatë është “koha për vende të rezervuara” të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

“Kriza e sotme në parlament, qoftë e dirigjuar apo imponuar, po e çon Serbinë në zgjedhje të reja parlamentare dhe zgjedhjet për kryeqytet”, shkroi Kamberi në Facebook.

Ai vlerësoi se shkuarja në zgjedhjet e reja parlamentare “po imponon ndryshim të kushteve dhe sistemit zgjedhor”.

“E sistemi i ndryshuar zgjedhor do të duhet patjetër të trajtojë edhe kërkesat dhe nevojat e pakicave”, shtoi.

Shaip Kamberi

Ky, sipas tij, do të jetë momenti që shqiptarët të dalin me kërkesën “për vende të garantuara të përfaqësimit në parlament”.

Zgjedhjet e reja në Serbi do të kishin impakt edhe në dialogun që zhvillohet në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo për shkak se në një kohë kur vendet perëndimore, përkatësisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas pushimeve të verës, kanë ri-filluar në mënyrë intensive përpjekjet e tyre diplomatike për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, do të bënte që kjo çështje për shkak të mungesës së qeverisë në Beograd të shtyhej.

Të fundit

Aktuale