Lajme

“Serbia do të gjejë sërish formë për sulme terroriste në Veri” – pretendimet janë për territore, jo për popull


Foto: Albanian Post.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit, krijoi pasiguri të mëdha në secilën pjesë të Kosovës.

Përveç qytetarëve, frikën që një sulm terrorist i ngjashëm do të ripërsëritet e kanë edhe ekspertët e sigurisë.

Madje, ata thonë se duhet të jemi vetëm në pritje të ndonjë sulmi tjetër edhe pse forma se si do ta përzgjedh shteti i Serbisë ta sulmojë Kosovën sërish s’është e ditur.

“Pretendimet e Serbisë për territore, jo për popull”

Eksperti ushtarak dhe njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, Ramadan Qehaja, në një bisedë për Albanian Post thotë se “jam rritur dhe jam shkolluar me serbë”, prandaj “përvoja është shumë e gjatë” duke shtuar se një “sulm i ardhshëm do të jetë i planifikuar”.

Ai thotë se pretendimet e Serbisë gjithmonë janë për “territore”, jo për “popull”.

“Duke i ditur pretendimet e Serbisë për territore, jo për popull unë kujtoj që rreziku nga sulmet eventuale terroriste s’mund të eliminohen. Pavarësisht prej asaj që Serbia është gjetur në një situatë të palakmueshme aktualisht”.

“Por, nuk mund të themi që e arritëm qëllimin, se nuk ka më tentativë për ta shkëputur atë pjesë të territorit apo për të hyrë në atë pjesë të territorit për të destabilizuar”.

Të mendohej kështu, ai thotë se “do të ishte gabim”.

Eksperti ushtarak dhe njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, Ramadan Qehaja.

“Unë kujtoj që Serbia zyrtare me ekspertët e vetë ushtarakë dhe të sigurisë do të tentojnë të gjejnë një formë tjetër të destabilizimit të situatës së sigurisë në atë pjesë të territorit”.

Sipas tij, kjo do të bëhet edhe me qëllimin se Kosova për herë të parë konsiderohet se ka pasur një sukses në atë pjesë.

“Unë konsideroj që një sulm tjetër mund të pritet në atë pjesë, si dhe në çfarë mënyrë, duhen diskutime më të gjëra”.

Eksperti ushtarak akoma habitet “se si një numër kaq të madh të armatimit arritën ta fusin brenda Kosovës për të kryer sulmin”.

“Vuçiç mendon se është në vitet e 90-ta, sulme do të ketë sërish”

Si Qehaja, edhe analisti politik Dritëro Arifi, deklaron se sulme terroriste mund të ketë sërish.

Nga këndvështrimi i tij, sulmet do të ndodhin pasi që presidenti i Serbisë, vazhdon të mendojë se është në vitet e 90-ta.

“Besoj që sulme terroriste do të ketë sërish. Besoj në dy çështje. Derisa Serbia ta ketë president Aleksandër Vuçiç-in, me një mentalitet të viteve të 90-ta s’do të ndryshojë asgjë dhe e shoh të vështirë të kemi një marrëveshje politike Kosovë-Serbi”, pohon Arifi për AP.

Një sulm i tillë ka pasur edhe pjesë pozitive, ai thotë se Kosova ka pasur “avantazh” në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare.

Analisti politik, Dritëro Arifi.

“Sa i përket situatës politike që është krijuar në Veri të vendit mund të themi se është krijuar një avantazh i rëndësishëm për Kosovën, në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare apo në raport Kosovë – Perëndim”.

Megjithatë, kjo jo domosdoshmërisht nënkupton një fitore të sigurt, thotë ai.

“Nuk do të thotë që fitorja është siguruar në tavolinë, sepse ka akoma shumë punë për të bërë. Në menaxhimin policor Kosova është duke e menaxhuar në mënyrë mjaft të mirë, tani çështja është si ta gjejmë mënyrën që komunitetin serbë ta integrojmë në institucionet e Kosovës”.

“S’besoj që do të ketë përmirësim të situatës politike, pikërisht sepse pala tjetër nuk është e interesuar”.

Sulmet në Veri

Në fund të vitit të kaluar, grupe serbësh në Veri ngritën barrikada në rrugë, për të kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Madje si shenjë proteste u larguan edhe pjesëtarë të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetë të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, e po ashtu ishin larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Më 29 maj, në Zveçan, pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u sulmuan nga protestues të dhunshëm serbë që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave në Veri.

Barrikadat në Veri, dhjetor 2022.

Së fundmi, një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Kur nisen sulmet në Veri?

Pikat kufitare të Kosovës deri para shpalljes së pavarësisë së vendit kontrolloheshin nga misioni i përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë apo siç njihet ndryshe “UNMIK”.

Por 17 shkurti i vitit 2008, bëri që mandati i kontrollimit të kufijve shtetërorë të Kosovës të kalojë nga misioni UNMIK-ut në institucionet e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, kontrollin në pikat kufitare në Veri të vendit, Kosova si shtet i pavarur nuk kishte arritur ta shtrijë.

Se gjendja në Veri të Kosovës nuk është në nivelin e duhur ishte konfirmuar edhe në takimin në mes të ish-komandantit të KFOR-it, Giuseppe Emilion Gay dhe ish-Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës me 25 korrik të vitit 2011

“Në Veri ka probleme, ka korrupsion dhe krim të organizuar, por, besojmë se shumë shpejtë gjendja në veri do të përmirësohet “, ishte deklaruar Thaçi.

Shkëndijën e parë për nisjen e një aksioni për vënien në kontroll të pikave kufitare në Veri të vendit kishte dhënë ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell, i cili kishte thënë se Kosova duhet t’i kontrollojë pikat kufitare të territorit të saj.

Në këto rrethana kishte filluar edhe aksioni i parë i njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të njohur si “ROSU”, në Veri të Mitrovicës, i cili datonte me 25 korrik të vitit 2011, ku në atë kohë Qeveria e Kosovës pati marrë vendim të ndërhyjë në veri të vendit për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, të cilat deri në atë kohë kontrolloheshin nga strukturat paralele serbe.

Ndërhyrja në fjalë ishte konsideruar si përpjekje e parë serioze për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës.

Në aksionin e 10 viteve më parë kishte humbur jetën Enver Zymberi, njëri nga policët e njësitit ROSU, pasi në të dhe pjesëtarët e tjerë kishin shtënë me armë zjarri grupe të armatosura nga pjesa veriore.

Në Veri jetojnë rreth 50 mijë serbë, të cilët që nga paslufta, më 1999, nuk u binden vendimeve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore