Lajme

Serbët vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët pranë pikave kufitare me Kosovën


Dy pikat kufitare të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinje, Bërnjak dhe Merdare, vazhdojnë të mbeten të bllokuara edhe mëngjesin e kësaj të marte, nga qytetarë serb të cilët kanë barrikaduar lëvizjen e lirë me automjete te tyre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për Albanian Post se sipas informatave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qendrës Kombëtare të Menaxhimit Kufitar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, këto dy vendkalime kufitare janë ende të bllokuara.

“Informata e fundit ka qenë që janë të bllokuara, ata e bëjnë përgjegjësimin e jo ne. Sepse ka të bëj me territor jashtë Kosovës, e ne si polici nuk kemi të drejtë të komentojmë për atë pjesë”, ka deklaruar Kelani.

Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar, në webfaqen zyrtare ka paraqitur një tabelë në të cilën bëhet e ditur se pikat kufitare, Jarinje, Bërnjak dhe Merdare, janë të bllokuara.

Ndërsa në tabelën ‘Gjendja e rrugëve që shpijnë në pikat e kalimit kufitar’ specifikisht bëhet e ditur se në rrugën magjistrale Mitrovicë-Bërnjak, rruga është tërësisht e bllokuar.

Ndërsa, Podujevë-Merdare është e bllokuar për kamionë dhe autobusë, njëjtë si në magjistralen Mitrovicë-Jarinjë.

Të hënën në darkë, qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën magjistrale në pjesën e Serbisë, konkretisht pas pikës kufitare në Jarinje dhe në Merdare, me automjetet e tyre, duke pamundësuar kështu futjen e kamionëve, autobusëve dhe automjeteve të ndryshme nga Kosova thellë brenda territorit të Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, përmes një komunikate për media, ka apeluar qytetarët të cilët tashmë kanë hyrë në territorin e Serbisë, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardh ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Nëse nuk kanë hyrë në Serbi, luten qytetarët, të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Në disa video amatore të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale shihet se një numër i konsiderueshëm i kamionëve nga Kosova kanë mbetur të ngujuar si pasojë e bllokimit të rrugës nga serbët.

Ndërsa mediumi i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Pink.rs, po raporton se drejtuesit e kamionëve me targa të Serbisë, të cilët prej disa ditësh kanë mbetur të bllokuar në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, kanë vendosur që të bllokojnë rrugën Mitrovicë – Rashkë.

Sipas, Pink.rs, shoferët e kamionëve po lejojnë hyrjen e automjeteve dhe autobusëve nga Kosova, por jo edhe kamionët kjo si shenjë reciprociteti ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës e cila vendosi t’i shtrëngoi kontrollet kufitare me Serbinë duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vinë nga Serbia sidomos ato transportuese.

Sipas raportimeve të mediave serbe rreth 30 drejtues të kamionëve nga Kurshumlia kanë bllokuar edhe autostradën Nish-Prishtinë më saktësisht në fshatin Rudarë.

Ky vendim, sipas disa nga drejtuesit e kamionëve, është edhe një shenjë solidarizimi me serbët nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve, sipas mediave serbe ka nisur rreth orës 18:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore