Kosova

Serbët ende s’kanë shprehur vullnet për largimin e kryetarëve nga komunat veriore, thotë Krasniqi


Elbert Krasniqi

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga përfundimi i hartimit të Udhëzimit Administrativ për iniciativën qytetare për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore që do të hapte rrugë zgjedhjeve të reja në këtë pjesë të vendit, por asnjë serbë deri më tani nuk e ka shprehur vullnetin për të mbledhur nënshkrimet e duhura, sipas udhëzimit në fjalë, për largimin e kryetarëve nga zyrat.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovë.

“Deri në këtë moment nuk kemi pranuar asnjë informatë nga asnjë kryesues të Kuvendit Komunal që një grup i qytetarëve është mobilizuar dhe ka filluar mbledhjen e nënshkrimit për largimin e kryetarëve nga zyrat”, tha ai.

Çfarë është e rëndësishme, në këtë fazë, sipas Krasniqit, është që kryetarët po vazhdojnë punën e tyre,

“Ndërsa ne si Qeveri jemi në mbështetje të tyre”, ka thënë ai.

Çfarë shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore