Kosova

Kongresistja amerikane: Çdo agresion ndaj Kosovës nga shtetet e mbështetura nga Rusia është i papranueshëm


Senatorja republikane Lisa McClain

Kongresistja amerikane Lisa McClain, ka thënë se Kosova është aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se ShBA-ja duhet të qëndrojë pranë Kosovës.

”Kosova ka qenë prej kohësh një aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s dhe bota e lirë është e përkushtuar ndaj sovranitetit të tyre. Çdo agresion ndaj Kosovës nga shtetet e mbështetura nga Rusia është i papranueshëm dhe kërcënim për sigurinë globale. Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë pranë Kosovës”, ka shkruar ajo në platformën X.

Tetë ditë më parë edhe Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Antony Blinken, nëpërmjet deklarate të lëshuar për media dënoi ashpër “sulmin e koordinuar” në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ku një grup i armatosur qëlloi me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator dhe shprehin ngushëllime të thella për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës. Autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi nëpërmjet një procesi hetimor transparent”.

Blinkeni bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga, siç tha ai, çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe për t’u kthyer në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nën kujedsin e Bashkimit Evropian (BE).

“Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për zbatimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si reaguese e parë në situata emergjente dhe situata krize”, nënvizoi shefi i diplomacisë amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore