Lajme

Senati amerikan akuzon “Credit Suisse” për bashkëpunim në evazion fiskal


Banka zvicerane “Credit Suisse”, marrja e së cilës nga konkurrenti dhe bashkatdhetari i saj UBS është në progres, ka ofruar ndihmë për “amerikanët më të pasur” në çështjet e evazionit fiskal, sipas një raporti nga Senati i Shteteve të Bashkuara të botuar të mërkurën.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Sipas këtij dokumenti të publikuar nga Komiteti i Financave të Senatit, “Credit Suisse” lejoi të fshihte llogaritë e huaja që arrinin në mbi 100 milionë dollarë.

Ky raport është përfundimi i dy viteve të hetimit të kryer për të siguruar që banka zvicerane kishte ndryshuar vërtet praktikat e saj në këtë fushë, pasi ra dakord në vitin 2014 të paguante një gjobë prej 2.6 miliardë dollarësh për t’i dhënë fund ndjekjeve penale.

Komisioni thotë se banka dështoi të përmbushë kushtet e një marrëveshjeje të vitit 2014 me Departamentin Amerikan të Drejtësisë për t’i dhënë fund padive të ngritura për dështimin e saj për të raportuar 100 milionë dollarë në asete tek autoritetet tatimore amerikane.

Gjatë hetimit, “Credit Suisse” pranoi gjithashtu se 23 llogari të tjera, të pajisura me të paktën 20 milionë dollarë dhe që i përkisnin shtetasve amerikanë, ishin identifikuar, me hetime të brendshme ende në vazhdim.

Në total, komisioni vlerëson se shuma totale e njohur nga banka si në kundërshtim me kushtet e marrëveshjes së vitit 2014 është më shumë se 700 milionë dollarë.

“Në qendër të këtij hetimi janë bankierë dhe rregullatorë lakmitarë zviceranë, të cilët kanë dështuar të bëjnë punën e tyre, dhe rezultati duket si një komplot masiv dhe ende i vazhdueshëm për të lejuar qytetarët shumë të pasur amerikanë që të mos paguajnë taksat e tyre dhe të grabisin bashkëqytetarët e tyre”, akuzoi kryetari i komisionit, senatori Ron Wyden.

Komisioni akuzon “Credit Suisse” se nuk ka respektuar kushtet e marrëveshjes dhe se ka marrë pjesë në “shkeljen potencialisht më të madhe të rregullave në këtë çështje në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Për më tepër, komisioni beson se menaxhmenti i lartë i bankës dinte për këtë.

Ajo beson gjithashtu se banka të tjera zvicerane mund të përfshihen, duke përmendur në veçanti UBS dhe PKB Privatbank, si dhe bankën izraelite Leumi.

E destabilizuar nga fillimi i panikut bankar që preku bankat rajonale amerikane, “Credit Suisse” u shpëtua falë organizimit të marrjes së saj nga autoritetet zvicerane, për të shmangur kolapsin e një banke të konsideruar si sistematike në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore