Selmanaj i bindur: Kusari – Lila bisedoi me Radojiçiç-in me lejen e Kurtit

SHFLETO

Driton Selmanaj

 

Dreni Himbeqa
04.06.2024 17:54
Loading Icons...

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, është shprehur i bindur se komunikimi i drejtpërdrejtë në mes të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilës dhe kryeterroristit, Milan Radojiçiç, ka ndodhur me dijeninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Unë jam i bindur që Mimoza Kusari e ka bërë diçka të tillë me lejen e Kurtit”, ka thënë Selmanaj në një intervistë për emisionin Frontal në T7.

Kjo bisedë me telefon e Kusari – Lilës me personin që pranoi se ishte organizatori i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku, sipas Selmanajt, ka shpërfaqur fytyrën e vërtet të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.

“LVV-ja ndërtoi një narrativë tjetër nga ajo që është. Tash po tregojnë që s’e kanë problem bashkëpunimin me askënd. Kanë rënë në grackën e vetë”, ka shtuar ai.

Ai ndër të tjera ka kërkuar që Kusari – Lila të jap dorëheqje dhe njëkohësisht të intervistohet nga Prokuroria për bisedën në fjalë.

“Më e vogla që duhet të bëjë është që të japë dorëheqje nga roli i vetë si deputete. Organet e drejtësisë duhet ta intervistojnë për të parë deri në fund se ku ka shkuar biseda. Çka ka dalë. Pse janë bo këto negociata. Cili ka qenë qëllimi”, ka thënë Selmanaj.

Në një situatë krejt absurde Kurti, të martën, e cilësoi si “të montuar” bisedën e Kusari – Lilës me Radojiçiç-in, e publikuar në Nacionale.com, ani pse pranoi se nuk e ka dëgjuar audio-incizimin e bisedës.

“Ajo është një situatë e montuar”, tha Kurti ku më pastaj deklaroi se Kusari – Lila nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe se nuk është ai “diktator” i cili mund të vendos për shkarkimin e saj apo jo.

“Unë jam kryetar i LVV-së dhe Kusari-Lila nuk është anëtare. Edhe po të ishte anëtare për këso gjera ka komisione, LVV-ja nuk e ka kryetarin diktator që të marrë vendime siç do të kishte dëshiruar dikush”, shtoi ai.

Kurti e cilëson “të montuar” bisedën e Kusari-Lilës me Radojiçiç-in: Mimoza s’është anëtare e LVV-së