Selimi: Kurti me sjellje jopatriotike, po përdorë taksat e qytetarëve për të sulmuar opozitën e mediat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, ka akuzuar partitë opozitare se po financojnë media të ndryshme "me paratë e pista" për të "frikësuar njerëzit e tjerë"
SHFLETO

Petrit Selimi

 

Dreni Himbeqa
28.09.2024 11:16
Loading Icons...

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për deklaratat e tij të fundit kundër partive opozitare dhe mediave.

Një qasje të tillë të Kurtit, Selimi, e ka cilësuar si akt “jopatriotik”, meqë, sipas tij, Kurti po përdor paratë e taksapaguesve “jo për të lobuar” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndonjë njohje të re, por për “të sulmuar e kërcënuar opozitën dhe mediat kosovare”.

“Albini i zemëruar është kthyer. Kryeministri i Kosovës mban një fjalim në Internacionalen Socialiste në New Yortk dhe shfrytëzon rastin për të sulmuar “regjimin e vjetër” në Kosovë”, ka shkruar ai në platformën socaile, X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, ka akuzuar partitë opozitare se po financojnë media të ndryshme me paratë e pista.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista”, ka thënë Kurti.

Në vlerësimin e tij partitë opozitare – të cilët kanë qenë në pushtet njëherë e një kohë – po frikësohen nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, prandaj po synojnë “të frikësojnë edhe të tjerët”, duke shpërndarë para “tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata”.

“Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘me i ndjekë paratë’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e ilegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, ka shtuar ai.

Këto deklaratat të Kurtit janë dënuar me termet më të ashpra nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.