Selajdin Beqa pasi rrahu kolegun, vëzhgoi ilegalisht kolegët me kamera dhe i bëri për mjek tri kolege të tjera – të bëmat e Cowboy’t të Vetëvendosjes që s’i jep llogari askujt
Selajdin Beqa, foto nga Albanian Post
Lirim Mehmetaj
25.07.2024 12:38Për katër muaj rresht zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës u vëzhguan ilegalisht nga kamerat që i kishte vendosur dhe i kontrollonte Selajdin Beqa, Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, të cilit më herët iu kishte ngritur aktakuzë për rrahjen brutale të kolegut në vendin e punës.
Vendosja e kamerave fillimisht ishte kërkuar nga vetë punëtorët e agjencisë qeveritare pasi kishin parë kolegun e tyre Shemsi Elezi tek përgjakej nga grushtet e shqelmat që nuk ndaleshin nga Beqa, i cili e rrahu Elezin pasi ky i fundit e ballafaqoi me shkeljet e shumta ligjore.
Askush s’kishte ditur se çfarë ndodhi me kërkesën e tyre, derisa nuk i kishin parë të vendosura kamerat nëpër institucion.
Por, prapë, askush nuk e dinte se kush po i kontrollonte ato kamera të vendosura.
Punëtorët e Autoritetit, të lënë pa informacion, me 28 mars të vitit 2024 i drejtohen Agjencisë për Informim dhe Privatësi me ankesën se nuk kanë informacion se kush i ka vendosur dhe kush i kontrollon.
Me 31 maj Agjencia për Informim dhe Privatësi, pas analizimit të rastit, vizitës brenda objektit të Autoritetit dhe hetimeve të tjera konfirmon se ka pasur shkelje.
Në arsyetimin e Agjencisë të nënshkruar nga Zyrtarja e Inspektimit, Mirvete Çallaki Aliu, thuhet se “bazuar në faktet e sipërpërmendura si dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia konstaton se Autoriteti i Konkurrencës (në cilësinë e kontrolluesit) përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me Nenin 76, paragrafin 5, të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
Sipas këtij ligji, pos tjerash, siç saktëson paragrafi 5, “Personat që punojnë në ndërtesat publike dhe private nën vëzhgimin me kamerë, informohen në mënyrë të duhur në formë të shkruar për instalimin e sistemeve të tilla dhe të drejtat e tyre”.
Kjo s’kishte ndodhur, prandaj Agjencia për Informim dhe Privatësi përveç konstatimit të shkeljes së ligjit kërkonte njoftim të punonjësve dhe obligonte kontrolluesin “që në afat prej tetë ditëve nga pranimi i këtij vendimi të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për zbatim të këtij vendimi dhe të njoftojë Agjencinë për Informim dhe Privatësi”.
Pas obligimit për vendim të shkruar, kryetarja e Autoritetit, Neime Binaku, do të nënshkruante përfundimisht një formë të shkruar të njoftimit, e cila tregonte retrokativisht se punëtorët kanë qenë prej muajsh duke u incizuar në kamera.
Në pikën 1 të vendimit thuhet “instalimi i sistemit të vëzhgimit me kamera në AKRK është bërë nga muaji dhjetor i vitit 2023”, derisa vendimi po merrej me 22 mars të vitit 2024, katër muaj më vonë.
Vendimi i shkruar gjithashtu do të zbulonte një tjetër shkelje të rëndë.
Në pikën 6 të vendimit ku “caktohen personat përgjegjës për mbikëqyrje dhe qasje në këtë sistem”, thuhej se ishte edhe “Selajdin Beqa, drejtor i Përgjithshëm”.
Pra, presoni që kishte sulmuar fizikisht kolegun dhe i cili ishte bërë shkak që të kërkohet vendosja e kamerave, ishte vendosur si njeriu që do t’i kontrollonte ato.
I pyetur nga Albanian Post se me çfarë ligji apo rregullore është caktuar pikërisht ai personi që kontrollon kamerat, Beqa tha se “nuk e di”.
“Duhet me i pyet ata që e kanë marr vendimin, unë vetëm e zbatoj. Jemi dy persona përgjegjës, është shefi i administratës jam edhe unë”, pohoi Beqa, duke vazhduar të mos sqarojë, se me çfarë të drejte iu caktua atij ky pozicion, kur është ai vetë arsyeja përse ishte kërkuar fillimisht që të vendoseshin.
Ai nuk ka sqaruar as mos-njoftimin me shkrim të kolegëve për vendosjen e kamerave.
Ka thënë se kjo është punë që është bërë nga “një kolegë tjetër”, pasi “ka qenë ai ushtrues detyre”.
“Unë s’kam qenë fare në Autoritet as në punë (kur janë vendos kamerat)”, deklaroi për Albanian Post.
Befasia e radhës për punëtorët e këtij institucioni do të ishte kur në ËC-në e grave, në derë, do të gjenin një letër ku thuhej se “janë identifikuar personat që po i hedhin letrat në dysheme.
Pas këtij njoftimi, dyshimi i punëtorëve ishte që mund të ketë kamera edhe në wc-në e grave, meqë kush do të mund ta dinte se cilët janë personat “që po hedhin letra në dysheme”.
Drejtori i Administratës, Arsim Ternava, e ka pranuar për Albanian Post se “është një letër e tillë, po atë letër e kanë shkruar vet gratë dhe në këtë punë s’kanë asnjë përgjegjësi meshkujt apo stafi menaxherial”.
I sfiduar me faktin që nuk mundet që secili person të vendos letra dhe njoftime nëpër dyer të institucioneve, Ternava ka insistuar në shpjegimin fillestar.
Përse është caktuar përgjegjës për kamera Beqa, përveç Tërnavës, përgjigje nuk ka thënë as kryetarja e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Neime Binaku, kur është pyetur nga AP, meqë është ajo që ka nënshkruar vendimin.
Por, të bëmat e Selajdin Beqës brenda këtij institucioni nuk përfundojnë me rrahjen e kolegut dhe kontrollimin ilegal të kamerave.
Atij i është paraqitur rast edhe në Policinë e Kosovës me 20 mars për “privim të kundërligjshëm”, kur i kishte mbyllur pa shpjegim në një zyrë të objektit tri kolege.
Të tria më pas kanë pranuar edhe tretman mjekësor, pasi ishin lënë të mbyllura për disa orë me radhë me urdhrin e Beqës.
Në një raport mjekësor të datës 22 mars 2024 që e ka siguruar Albanian Post, të njërës nga punëtorët e mbyllura nga Beqa, specialistja e mjekësisë familjare në Sh.S.K.U.K, Arbnore Millaku, konstaton “shqetësim, dhimbje gjoksi dhe vështirësim në frymëmarrje”.
Çka më pas konstatohet edhe nga dëgjimi i të rrahurave të zemrës me aparatura.
Nga letra e Elektrokardiografisë, që e posedon Albanian Post, konstatohen rrahjet jo normale të zemrës, si pasojë e shqetësimit të pësuar.
Pas konstatimeve të ekspertëve mjekësorë, pacientët kishin marr tretman dhe ishin rekomanduar edhe për tek psikologu, trajtime që ende i vazhdojnë.
Albanian Post e ka pyetur edhe për këtë rast Beqën, por ai veçse i ka ofenduar kolegët e tij, duke i përshkruar si të padijshëm.
“Ata punojnë gjatë në institucione dhe janë injorantë”, tha Beqa, “a po kuptoni?”.
“Mos bini preh e lloj lloj…”, sugjeroi, kur u pyet për abuzimin që kishte prodhuar me veprimin e mbylljes së kolegëve në zyrë brenda objektit.
Beqa nuk tregoi konsideratë as për njërën nga koleget që e mbylli, duke e ditur paraprakisht se është me gjendje të vështirësuar shëndetësore dhe në dializë (procesi që mundëson zhdukjen e uresë, acideve, kaliumit dhe mbeturinave të tjera metabolike (shkëmbyese) të përmbajtura me tepricë në gjak, kur ky proces nuk bëhet nga veshkat, përkatësisht nga mëlçia për shkak të njeriut të sëmurë rëndë).
Të gjitha këto të bëma të Beqës, përfshirë aktakuzën e ngritur atij nuk ia dobësuan pozicionin brenda institucionit, përkundrazi.
Të paktën dy punëtorë të këtij institucioni në kushte anonimiteti kanë përmendur edhe ngacmime seksuale që u janë bërë nga Beqa, të cilat kanë qenë, siç janë përshkruar nga këto sinjalizuese, komente seksiste të vazhdueshme, komente për pamjen e tyre dhe format e tyre trupore.
Për këto aludime Albanian Post nuk ka gjetur rast të deponuar në polici.
Të pyetura përse nuk kanë ndërmarrë një hap të tillë, ato janë shprehur se nuk e kanë parë të arsyeshme, sepse tashmë janë të bindura se Beqa “është shumë i fortë” dhe institucionet nuk reagojnë.
“Ai ka aktakuzë për rrahje, e dëshmuar me fakte dhe prapë nuk i ndodhë asgjë, pse do t’i ndodhte nëse e paraqesim prapë”, i kanë thënë mediumit.
Beqa vazhdon të “qeverisë” me parametra të perëndimit të egër, me autoritetin politik të siguruar nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa punëtorët durojnë terrorizimin e përditshëm dhe presin institucionet të reagojnë.
Vazhdon…