Kosova

Sela për incidentin e Osmanit: Sulm skandaloz ndaj Kosovës, të mbahet përgjegjësi dhe të kërkojë falje Qeveria


Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, e ka konsideruar si sulm skandaloz ndaj Kosovës, incidentin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.

Sela ka kërkuar që për këtë ngjarje të mbahet përgjegjësi dhe të kërkojë falje Qeveria e drejtuar nga Hristjan Mickoski.

“Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër provokimin e rëndë ndaj Republikës së Kosovës, përmes sjelljes skandaloze të zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit ndaj Presidentes së Republikës, E.S. Vjosa Osmani”, shkroi Sela në Facebook.

Ai kërkoi urgjentisht që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksionojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm skandaloz ndaj autoritetit të Presidentes së Kosovës, duke shkelur të gjitha protokollet dhe konventat ndërkombëtare.

“Qeveria e VMRO-së përmes vasalëve të VLEN, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës”, shtoi.

Për patinë që Sela udhëheqë, ky rast nuk është një incident i thjeshtë, “por një provokim i rëndë për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i Qeverisë, deri tek personat që kanë qenë pjesëmarrës në këtë rast”.

Bekim Kupina, Këshilltar për Media i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në aeroportin e Shkupit, presidentes sigurimi ka tentuar që t’ia marrë telefonin personal, por ai ka treguar se Osmani ka refuzuar, teksa ka hasur në rezistencë nga pala maqedonase.

Mediat në Maqedoni: Incident me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit, refuzoi ta hap valixhen – u nxorën edhe armët

“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, thuhet në reagim.

Ai ka theksuar se përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, “sigurimi ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore