Shqipëria

Sekuestrohet pasuria e vëllezërve Marku


Policia e Tiranës ka ekzekutuar më 20 janar vendimin e Gjykatës së Tiranës për sekuestrimin e pasurisë të vëllezërve Marku nga Mirdita. Operacioni policor i koduar “Vëllazëria” ka sekuestruar pasuri që arrijnë vlerën e 5 milionë eurove, në ngarkim të dy vëllezërve me precedentë penale në fushën e narkotikëve.  

Gjatë operacionit u vendos sekuestrimi i 18-të automjeteve luksoze, 10-të pasurive të paluajtshme si vila e apartamente, dy aktiviteteve të biznesit dhe lokaleve. Disa prej tyre janë përfituar edhe me pastrim parash. Pjesa tjetër e pasurive dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve.

Vëllezërit S.Marku dhe E.Marku janë hetuar edhe në Spanjë për trafik droge. S.Marku është hetuar edhe në Itali. Ai është dënuar në vitin 2013-të nga gjykata e Tiranës me pesë vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Dyshohet se vëllezërit jepnin edhe para me fajde.

Prokuroria po vijon punën për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore