Shqipëria

Sektori bankar rezulton me rritje 4.7% vitin e kaluar


Vitin e kaluar, sektori bankar rezulton se është rritur me 4.7 për qind.

Totali i aktiveve të sektorit në fund të vitit 2023 – referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë – arriti në 1.965 trilionë lekë.

Ritmi i rritjes së aktiveve u ngadalësua nga niveli prej 5.8 për qind i vitit 2022, por vlerësohet se përcaktues në ngadalësimin e rritjes së sektorit bankar ishte efekti i kursit të këmbimit.

Kursi i këmbimit Euro-Lek, në fund të vitit 2023 – ishte në rënie vjetore me 9.1 për qind dhe kjo ndikoi edhe vlerën e aktiveve në monedhën evropiane të sektorit bankar.

51 për qind e aktiveve totale të sektorit bankar janë në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro.

Nga ana tjetër, pesha specifike e aktiveve në valutë pësoi rënie nga niveli prej 52.8 për qind i fundit të vitit 2022, pikërisht për shkak të efektit të kursit të këmbimit.

Gjatë vitit të kaluar, rritja e aktiveve u përqendrua kryesisht në segmentin e letrave me vlerë të borxhit.

Totali i investimit në letra me vlerë arriti në 682.7 miliardë lekë, në rritje me 10.5 për qind krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit të kaluar, normat e interesit të Euros dhe Dollarit Amerikan në tregjet ndërkombëtare shënuan rritje të ndjeshme, duke ndjekur lëvizjet shtrënguese monetare të bankave qendrore përkatëse.

Kjo u reflektua në një tendencë përgjithësisht rritëse të yield-eve, duke rritur kthimet nga titujt e borxhit në valutë të huaj.

Çka ndikoi paralelisht edhe në rritjen e vlerës së aktiveve jo rezidente, që arritën në 422.7 miliardë lekë, në rritje me 6.8 për qind krahasuar me fundin e vitit 2022.

Në monedhën vendase, yield-et e titujve të qeverisë e frenuan rritjen e shpejtë të gjysmës së dytë të vitit 2022.

Por bankat vazhduan rritjen e investimeve në këto instrumente, që vazhdojnë të ofrojnë kthime të kënaqshme në raport me rrezikun.

Në fund të vitit të kaluar, portofoli bruto i kredisë, arriti në 735.9 miliardë lekë, në rritje me 3.4 për qind krahasuar me fundin e vitit 2022.

Rritja e kredisë në terma bruto është pak më e ulët se ajo e raportuar në terma neto, për shkak të rritjes së totalit të provigjioneve.

Referuar Bankës së Shqipërisë, gjendja e provigjioneve për mbulimin e humbjeve nga huatë në fund të vitit 2023 arriti në 22.4 miliardë lekë, në rritje me 8.4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Vlerësohet po ashtu se portofoli i kredisë është ndikuar më shumë nga efekti negativ i kursit të këmbimit, për shkak të peshës më të lartë të aktiveve në valutë krahasuar me zërin e investimeve në letra me vlerë.

Grupi tjetër i veprimeve me thesarin dhe atyre ndërbankare, vitin e kaluar pësoi rënie në 510.4 miliardë lekë, 1.8 për qind më pak krahasuar me një vit më parë.

Grupi në fjalë përfshin zërat me likuidë të aktiveve, si mjetet monetare, vendosjet me bankën qendrore, bonot e thesarit dhe vendosjet në bankat dhe institucionet e tjera financiare, kryesisht jashtë vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore