Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd: Serbia nuk më ofron më siguri fizike, çfarëdo që mund të më ndodhë janë përgjegjës

SHFLETO

Fatmir Haxholli

 

Dini Fetahu
17.11.2023 18:21
Loading Icons...

Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka thënë se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe ka ndaluar së ofruari siguri fizike për të si diplomat.

“Dëshiroj ta ndaj edhe publikisht, që në shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit, Serbia ka ndaluar së ofruari siguri fizike 24/7 për mua si zyrtar/diplomat, dhe po ashtu nuk ofron as siguri mobile. Pavarësisht ankesave dhe kërkesave kjo praktikë po vazhdon. Çfarëdo që mund të më ndodh gjatë shërbimit tim në Serbi – mes tjerash – është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Serbisë!”, ka shkruar Haxholli në Facebook.

Këtë veprim të shtetit serb, ai e ka cilësuar si një precedent të rrezikshëm, “andaj më duhet ta them se ndjej, se tani e tutje se nuk jam i mbrojtur as i mbuluar nga Marrëveshja e Brukselit si instrument ndërkombëtar”.

“Sigurisht që këtij vendi nuk i konvenon ndonjë prezencë diplomatike e Republikës së Kosovës në Beograd, dhe aq më pak ngritja e statusit diplomatik siç parashihet sipas marrëveshjes për njohje de facto”, shtoi.

Sidoqoftë, theksoi Haxholli, “kamuflimi i veprimeve kundër Zyrës nga institucionet e këtij vendi, me potencial rrezikshmërinë dhe ekspozimin tim fizik dhe ligjor, është diçka që Kosova nuk duhet ta pranoj!”.