Shqipëria

Sejko për LSE-në: Dalja nga kriza e COVID-19 – përmes reformave dhe politikave makroekonomike


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka rrëfyer eksperiencën e rimëkëmbjes ekonomike së Shqipërisë nga COVID-19 për Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE), duke i cilësuar të suksesshme reformat gjithëpërfshirëse dhe politikat e kombinuara makroekonomike – fiskale dhe monetare.

Sejko ishte pjesëmarrës në eventin e organizuar nga LSE-ja për Evropën Juglindore e titulluar “Planifikimi për botën post-COVID: Politikat e bankës qendrore në ekonomitë në zhvillim”.

Guvernatori deklaroi fillimisht se për shtetet e Evropës Juglindore, COVID ishte përmbysja e tretë e madhe në 15 vjet.

“Rajonit të EJL-së iu deshën disa vite për t’u rikuperuar plotësisht dhe vetëm në gjysmën e dytë të viteve 2010 bankierët qendrorë po diskutonin për normalizimin e politikave. Më pas erdhi pandemia dhe na kapi të gjithëve në befasi. Ajo u shndërrua në krizën më të rëndë ekonomike dhe politike në jetët tona”, nënvizoi Sejko.

Referuar qasjes së Shqipërisë ndaj krizës, guvernatori sqaroi se autoritetet shqiptare ndërhynë herët me politika të kombinuara makroekonomike.

Sipas tij, deri më tani, këto masa kanë qenë mjaft të suksesshme në frenimin e humbjeve të prodhimit duke ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe financiar, gjë që ka munguar gjatë krizave të mëparshme.

“Në Shqipëri, ne vendosëm një lockdown të plotë që çoi në një rënie të ndjeshme të kërkesës dhe prodhimit. U rrit papunësia. Ishte e qartë se fatura financiare për pandeminë duhej të ndahej midis sektorëve publikë, privatë dhe financiarë: sfida ishte se si të arrihej kjo”, shtoi më tej Sejko.

Suksesi, për guvernatorin e BSH-së, i faturohet reformave gjithëpërfshirëse strukturore, e cila nisi një përgjigje efektive të politikave lokale.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

“Të dyja këto veprime”, shpjegoi Sejko, “u lehtësuan nga reagimi i politikave të koordinuara dhe globale”.

Në vijim, ai ravijëzoi se synimi i autoriteteve shqiptare ishte zbutja afatshkurtër dhe shmangia e ndikimeve afatgjata në ekonomi duke parandaluar falimentimet dhe pushimet nga puna në shkallë të gjerë.

“Këtë e arritëm duke ruajtur stabilitetin makroekonomik, duke siguruar një fluks të pandërprerë kredie për ekonominë. Gjithashtu, ne ia dolëm të shmangnim nënçmimin e monedhës shqiptare nëpërmjet ndërhyrjeve tona fillestare dhe masave të koordinimit ndërkombëtar”, tha guvernatori për LSE-në.

Më tej, Sejko tregoi se rregullimi dhe mbikëqyrja më e mirë e sektorit financiar ishte thelbësore për të shmangur disbalancat dhe rreziqet.

Shqipëria, tregon guvernatori, krijoi një grup të ri të stabilitetit financiar, i cili mblidhet çdo tremujor për të koordinuar politikën makroprudenciale.

“Banka e Shqipërisë u ngarkua si autoriteti i zgjidhjes nga Ligji për Rezolucionin e Bankave dhe drejton Fondin e Rezolucionit të Bankës. Përmirësuam mbulimin e ofruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe aftësitë e saj institucionale, miratuam një ligj të ri për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe krijuam linja krediti të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të përmirësuar likuiditetin”, theksoi Sejko gjatë shkëmbimit të eksperiencave me LSE-në.

Ai kujton se normat e interesit u ulën në një nivel historik prej 0.5%.

“Përgjigja jonë e politikës makroprudenciale lehtësoi fluksin e kredisë për bizneset e qëndrueshme. Kjo u arrit fillimisht përmes një moratoriumi afatshkurtër të kësteve të kredisë nga i cili përfituan rreth gjysma e bizneseve dhe familjeve”, solli në vëmendje Sejko.

Në të njëjtën kohë, kujton ai, qeveria shqiptare mori disa masa që synonin lehtësimin e taksave për bizneset, mbështetjen e punës dhe mirëqenies për familjet, si dhe skemat e garantimit të kredive.

Të gjitha këto siguruan një stimul fiskal prej rreth 3.5% të PBB-së dhe rezultuan mjaft efektive në mbrojtjen e sektorit privat nga ndikimi financiar i krizës.

Lidhur me krizën nga pandemia e COVID-19, Sejko deklaroi se nuk mund të shmangen ose të parashikohen plotësisht. Kjo është arsyeja pse ne gjithmonë duhet të jemi të përgatitur për më të keqen dhe duhet të vazhdojmë të zbusim dobësitë tona të mundshme.

“Hapësira e politikave që hapëm gjatë pandemisë duhet të ruhet. Koordinimi i politikave të jashtme është thelbësor për të shmangur pasojat negative, dhe sa më i mirë të jetë koordinimi, aq më efektive është politika”, tha guvernatori.

Në përmbyllje ai shtoi se duhet të vlerësohen ndikimet strukturore që COVID-19 do të ketë në ekonomi.

Bilancet publike dhe private, sipas Sejkos, duhet të rikuperohen plotësisht dhe ndikimi afatgjatë i pandemisë është i pasigurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore